Please enter at least 3 characters.

SHBA me sanksione të fuqishme ndaj Rusisë nëse Putin refuzon marrëveshjen e paqes

Shtetet e Bashkuara përgatitin paketë të re sanksionesh ndaj sektorit energjetik rus nëse Putin refuzon marrëveshjen e paqes me Ukrainën.

SHBA-ja po përgatit një paketë të re sanksionesh ndaj sektorit energjetik rus për të rritur presionin drejt Moskës në rast se presidenti rus, Vladimir Putin refuzon marrëveshjen e paqes me Ukrainën, raporton Bloomberg duke u referuar në burime të njohura me planet.

Sipas këtyre burimeve, Uashingtoni po shqyrton disa opsione, përfshirë sanksionimin e anijeve të ashtuquajtura të “flotës në hije” ruse – tankerë ilegalë që përdoren për transportin e naftës ruse – si dhe tregtarëve që marrin pjesë në këto transaksione. Burimet folën nën kusht të anonimatit për shkak se bëhet fjalë për diskutime konfidenciale.

Disa nga burimet e mediumit amerikan thonë se masat e reja mund të shpallen tashmë gjatë kësaj jave.

Sipas informacioneve të Bloomberg, sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka biseduar më parë këtë javë për këto plane me një grup ambasadorësh evropianë, si pjesë e koordinimit me aleatët.

Sanksionet, sipas gjithçkaje, do të synonin kufizimin e mëtejshëm të të ardhurave ruse nga eksporti i energjisë, të cilat janë thelbësore për financimin e luftës kundër Ukrainës. /Telegrafi/