Shasivari: Marrëveshja e Ohrit është një standard që duhet të vazhdojmë ta ndërtojmë çdo ditë
Në seancën solemne të Qeverisë, sot u shënua 25-vjetori i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ndërsa ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, theksoi rëndësinë e saj jo vetëm si dokument historik, por edhe si përgjegjësi institucionale për të ardhmen e vendit. Shasivari tha se Marrëveshja e Ohrit i dha Maqedonisë së Veriut një rrugë të re drejt paqes, stabilitetit dhe bashkëjetesës, ndërsa 25 vjet pas nënshkrimit të saj, sfida kryesore mbetet ndërtimi i një shteti demokratik dhe të barabartë për të gjithë qytetarët.
“Marrëveshja e Ohrit nuk është vetëm një dokument i historisë sonë. Ajo është përgjegjësi institucionale dhe standard që duhet të vazhdojmë ta ndërtojmë çdo ditë”, deklaroi ministri i Drejtësisë.
Sipas Shasivarit, përvjetori i Marrëveshjes duhet të shërbejë si mundësi për të reflektuar mbi të arriturat, por edhe mbi detyrimet që institucionet kanë ndaj qytetarëve. “Për mua, drejtësia nuk mund të jetë selektive. Barazia nuk mund të mbetet vetëm një parim në letër. Ato duhet të jenë pjesë e funksionimit të përditshëm të shtetit dhe e besimit të çdo qytetari te institucionet”, theksoi ai.
Ministri vlerësoi se Marrëveshja Kornizë e Ohrit nuk duhet të trajtohet si një kapitull i mbyllur, por si pjesë e një procesi të vazhdueshëm të ndërtimit institucional dhe demokratik.
“Si institucione, detyrimi ynë është të mos e trajtojmë këtë Marrëveshje si kapitull të përfunduar. Ajo është pjesë e procesit të vazhdueshëm për ndërtimin e një shteti demokratik, të drejtë dhe të barabartë për të gjithë”, tha Shasivari. Duke folur për rëndësinë e përvjetorit, ai theksoi se 25 vitet e kaluara përfaqësojnë një periudhë në të cilën vendi ka kaluar nëpër sfida të rëndësishme, por edhe ka ndërtuar bazat për një shoqëri më gjithëpërfshirëse. “E ardhmja e vendit ndërtohet mbi respektin, barazinë, sundimin e ligjit dhe dinjitetin e çdo qytetari”, porositi ministri.
Shasivari shtoi se institucionet duhet të vazhdojnë të punojnë me përgjegjësi për forcimin e besimit të qytetarëve dhe për garantimin e barazisë në praktikë, duke nënvizuar se parimet e Marrëveshjes duhet të jenë pjesë e funksionimit të përditshëm të shtetit. “Në këtë përvjetor, kujtojmë rrugën që kemi kaluar, vlerësojmë arritjet dhe me përgjegjësi shikojmë drejt sfidave të së ardhmes”, deklaroi ai.
Në përmbyllje të mesazhit të tij, ministri i Drejtësisë e përmblodhi simbolikën e 25-vjetorit në tre nocione: paqe, përgjegjësi dhe e ardhme e përbashkët. “25 vjet paqe. 25 vjet përgjegjësi. Një detyrë e përbashkët: të ndërtojmë një të ardhme më të drejtë për të gjithë!”, porositi Shasivari.


