Serbët duan ta heqin simbolin që e vendosi Erden Atiqi në veri, ai thotë se nuk do ta lejojë
Një simbol që shfaq dashurinë për qytetin, u kthye në temë përçarjeje politike.
Mbishkrimi “I Love Mitrovica” i vendosur në qendër të Mitrovicës së Veriut, rrezikon të largohet me kërkesë të pushtetit aktual të Listës Serbe në komunë.
Ndonëse kryetari i atëhershëm Erden Atiq,vendosi që ajo të jetë në gjuhën angleze me qëllim të unifikimit, serbët duket se duan ta rikthejnë siç ishte më parë.
“Më 2 tetor 2025, ish-ekzekutivi kishte vendosur të largojë mbishkrimin e mëhershëm cirilik “Kosovska Mitrovica” duke e zëvendësuar me të riun me shkronja latine dhe duka ia bashkëngjitur stemën e komunës”.
Krejt kjo temë u hap pa paralajmërim në seancën e 25 majit në kuvendin komunal të Mitrovicës së Veriut.
Me propozim të Listës Serbe, aty u miratua nisma për largimin e monumentit, pa sqarime konkrete ligjore.
“Nuk e bënë të qartë, çka do që thanë në seancë, thanë që kjo nuk është në rregull me ligj, por nuk e treguan se me cilën pjesë të ligjit, nuk e treguan se po na pengon pse është e shkruar kështu, vetëm se duam ta heqim, por ta zëvendësojmë ndonëse edhe me shkronjat cirilike qysh e quajnë ata. Por kjo nuk është në rregull për shkak të etnive të tjera të cilët nuk e kuptojnë këtë gjuhë”, thotë zëvendëskryesuesja e Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, Aida Ferati-Doli.
Doli pret që institucionet përgjegjëse të mos japin dritën e gjelbër mbi këtë vendim të komunës.
“Unë mendoj dhe shpresoj shumë që ligjshmëria e cila do të shkojë në MAPL do të kthehet prapë sepse nuk mund të hiqet ky monument përderisa nuk vendoset edhe ligjshmëria nga ana e ministrisë së Pushtetit Lokal”, thotë Doli.
Reagim të ashpër pati edhe ish-kryetari Erden Atiq, i cili e sheh këtë veprim si tentim për të zhbërë çdo vendim të mandatit të tij.
“Me i luftu vendimet që unë i kam marrë si kryetar komune, qato vendime konkret. Nuk e lejojmë, edhe nuk munden, edhe nuk e lejojmë”, u shpreh Atiq për Dukagjinin.
Fillimisht kundër procedimit të kësaj pike dolën edhe disa asamblistë serb opozitarë, me arsyetimin se propozimi nuk ishte pjesë e materialeve të shpërndara paraprakisht.
Megjithatë, në fund edhe ata votuan pro largimit të këtij simboli.


