Please enter at least 3 characters.

Sekuestrohen rreth 10 kg marihuanë në Nabërgjan të Pejës - rasti po hetohet

Prokuroria Themelore në Pejë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Njësitin për Luftimin e Narkotikëve në Pejë, njofton opinionin publik se gjatë një operacioni të zhvilluar sot në fshatin Nabërgjan, Komuna e Pejës, janë sekuestruar rreth 10 kilogramë e 500 gramë substancë narkotike të llojit marihuanë.

Sipas një njoftimi thuhet se operacioni është zhvilluar në orët e hershme të mëngjesit nga hetuesit e Njësitit për Luftimin e Narkotikëve në Pejë, të cilët, në kuadër të veprimeve hetimore dhe operative, kanë realizuar sekuestrimin e substancës narkotike.

"Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda i Prokurorisë Themelore në Pejë, i cili ka koordinuar dhe mbikëqyrur veprimet e mëtejshme procedurale. Gjatë operacionit, Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale 'Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge', të përcaktuar sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës", thuhet në njoftim.

Po ashtu siç bëhet e ditur në njoftim personi i dyshuar është duke u intervistuar nga hetuesit në Stacionin Policor, ndërsa hetimet dhe veprimet e mëtejshme procedurale po vazhdojnë nën udhëzimet dhe koordinimin e prokurorit të shtetit.

"Gjithashtu, gjatë operacionit është sekuestruar edhe një telefon mobil, i cili do të jetë objekt i procedurave të mëtejshme hetimore. Prokuroria Themelore në Pejë dhe Policia e Kosovës, përkatësisht Njësiti për Luftimin e Narkotikëve në Pejë, mbeten të përkushtuara në luftimin e dukurisë së narkotikëve dhe veprave penale që ndërlidhen me blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të substancave narkotike, duke ndërmarrë veprime të koordinuara hetimore dhe operative me qëllim të parandalimit dhe luftimit të këtyre veprave penale", thuhet në njoftim. /Telegrafi/