Sekreti i netëve të qeta - nëna tregon si i vë në gjumë 4 fëmijë nën 2 vjeç
Një nënë nga Nju Jorku ka zbuluar se si arrin t’i vërë në gjumë çdo natë katër fëmijët e saj, të gjithë nën moshën dy vjeç. Sipas saj, sekreti qëndron në një rutinë strikte dhe qëndrueshmëri të plotë.
Courtney Barry (41), nënë e katër fëmijëve të vegjël, ka ndarë metodën e saj në një video në Instagram, duke treguar se të gjithë fëmijët e saj kanë filluar të flenë gjatë gjithë natës që nga mosha 6 deri në 10 javë.
Ajo thekson se gjithçka bazohet në parashikueshmëri: çdo mbrëmje ndjek të njëjtin ritëm – darka, përgatitja për gjumë, banja, aktivitete qetësuese dhe më pas gjumi në të njëjtën orë.
Rutina përfshin gjithashtu ushqyerjen e fëmijëve para gjumit, përdorimin e pelenave të pastra dhe kujdesin që ata të mos jenë as shumë të lodhur e as shumë të zgjuar në momentin e gjumit.
Barry thotë se, edhe kur udhëtojnë, familja mundohet të ruajë të njëjtin orar sa më afër rutinës së shtëpisë, pasi kjo ndihmon që fëmijët të përshtaten më lehtë dhe të flenë më mirë.
Sipas saj, sfidat më të mëdha nuk kanë qenë natën, por gjatë ditës, pasi duhet kujdes i madh që fëmijët të mos zgjohen njëri-tjetrin. Megjithatë, ajo thotë se edhe kjo është stabilizuar me kohën.
Videoja e saj është bërë virale në Instagram, duke marrë qindra mijëra shikime dhe shumë komente pozitive nga prindër të tjerë që e kanë quajtur metodën “shumë efektive”. /Telegrafi/


