Për herë të 31-të me radhë, deputetët pritet të tentojnë sot konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Në seancat e mëparshme, të cilat kanë zgjatur më pak se tre minuta, nuk është arritur as formimi i Komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentares, transmeton Telegrafi.
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun për këtë post, ndërsa partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin kandidaturën e saj.
Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosova vazhdon të mbetet pa institucione të reja.
Nëse seanca e sotme do të sjellë ndonjë risi apo do të rezultojë në një tjetër dështim, kjo mbetet të shihet sapo të nisë seanca.
Telegrafi do të ju mbajë të informuar në kohë reale për zhvillimet në Kuvend:
13/06/2025 11:22-Dështon përpjekja e radhës për konstituimin e Kuvendit
Ka dështuar për herë të 31-të seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. As në seancën e sotme nuk u votua Komisioni Zgjedhor, i cili do të mundësonte votimin e fshehtë për kandidaten për kryetare të Kuvendit. Kjo shënon dështimin e 31-të me radhë për konstituimin e Kuvendit.
13/06/2025 11:09-Limaj: Është momenti i fundit që klasa politike të arrijë marrëveshje politike
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, tha se vetëm përmes marrëveshjes politike arrihen numrat. Kështu tha ai para mediave, duke thënë se shpreson që sa më shpejtë të arrihet marrëveshja. "Kosova çdo ditë e më shumë po futet në krizë, ne jemi duke humbur milionat, ekonomia ka pasiguri. Kosova po merr dëme të mëdha ekonomike pasi nuk kemi institucione legjitime", tha ai./Telegrafi/
13/06/2025 10:59-Qeveria e tranzicionit, Sveçla: Nuk e kam lexuar planin e Abdixhikut
Deputeti i LVV-së, Xhelal Sveçla tashmë ka arritur në Kuvend, ku pritet të mbahet seanca konstituive. Para mediave, ai tha se nuk e ka parë agjendën 15-pikëshe për qeverinë e tranzicionit të prezantuar nga kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.