Sarajevë: Sulmuesi i ambasadës amerikane është plagosur (Video)
Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme për kantonin e Sarajevës, Irfan Nefic. Ai po ashtu bëri të ditur se është plagosur edhe një punonjës i ambasadës, çfarë është konfirmuar edhe nga spitali “Dr Abdullah Nakash”, ku i lënduari i është nënshtruar operacionit.
Sipas informacioneve ende jozyrtare, të cilat i transmeton televizioni federal, sulmuesi është Mevlid Jasarevic nga Novi Pazari, i lindur në vitin 1988.
Më herët ishte njoftuar se dy persona të armatosur sulmuan të premten ambasadën amerikane në kryeqytetin e Bosnjës dhe Hercegovinës, Sarajevë. Polica ka qenë shumë shpejt në vend të ngjarjes. Njëri nga sulmuesit, sipas mediave boshnjake, u tha se është vrarë me snajper, ndërkaq i tjetri është plagosur dhe dërguar në spital.
Agjencia e lajmeve Reuters citoi një zyrtar anonim të ambasadës të ketë thënë se nuk është plagosur askush brenda ambasadës. Por sipas medieve boshnjake, dyshohet edhe për kalimtar rasti të plagosur.
“Mashkulli, i veshur me uniformë maskuese, shtiu me kallashnikov nga stacioni i tramvajit dhe pastaj iku, mirëpo më pas shpejt u vra me snajper. Si deklaroi një dëshmitar okular, mashkulli i vrarë dukej si pjesëtar i lëvizjes vehabiste. Sulmuesi i dytë, i cili kishte të mbështjellë rreth trupit eksploziv, u plagos në ije dhe u dërgua në spital”, njoftojnë mediat boshnjake.
Komunikacioni dhe lëvizja e njerëzve në pjesën ku ndodhet ambasada, thuhet të jetë bllokuar tërësisht. Ambasada e Shteteve të Bashkuara është e vendosur në zonën universitare dhe komerciale në Sarajevë. /Telegrafi/


