Please enter at least 3 characters.

Sami Lushtaku kandidat i PDK-së për kryetar të Skenderajt

Sami Lushtaku do të jetë kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Komunës së Skenderajt në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor.

Vendimi për kandidimin e tij është marrë në mënyrë unanime nga Kryesia e Degës së PDK-së në Skenderaj.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Lushtaku përmes një postimi në Facebook, duke theksuar se ky hap është përgjigje ndaj mbështetjes së vazhdueshme që ka marrë nga qytetarët ndër vite.

Ai ka përmendur edhe sfidat personale dhe politike me të cilat është përballur, përfshirë burgimin prej katër vitesh e gjysmë gjatë viteve 2013–2017, për të cilin në fund u shpall i pafajshëm, si dhe ndalimin e kandidimit të tij në zgjedhjet lokale të vitit 2021 nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Kandidimi im është thirrje për bashkim, për zhvillim, për drejtësi dhe për dinjitetin e Skenderajt. Skenderaj do të bëhet çdo vit më i zhvilluar, me punë, me projekte dhe me udhëheqje të drejtë për të gjithë”, ka shkruar Lushtaku.

Ai gjithashtu falënderoi kryetarin aktual të komunës, Fadil Nura, për bashkëpunimin dhe angazhimin gjatë mandatit të tij.

Programin e tij të plotë qeverisës, Lushtaku ka paralajmëruar se do ta prezantojë gjatë javëve të ardhshme. /Telegrafi/