Please enter at least 3 characters.

Rusia po humb 45 mijë ushtarë në muaj, thotë Zelensky

Volodymyr Zelensky deklaroi se Ukraina ka arritur ta ndalë rritjen e madhësisë së ushtrisë ruse në rrethanat aktuale.

Presidenti ukrainas pohoi se Moska po humb rreth 45 mijë trupa në muaj.

“Vitin e kaluar, në këto muaj, shifra ishte rreth 15 mijë. Pra, Rusia nuk po mendon për këtë, por ne po mendojmë. Ne mendojmë se si po humbasin dhe sa ushtarë po humbasin. Ne e dimë se ata mobilizojnë 40–43 mijë persona në muaj dhe fillojnë të humbasin 45 mijë. Nga këta 43 mijë, duhet ta dini se rreth 10–15 për qind dezertojnë dhe ka edhe të plagosur. Por ushtria e tyre ka ndaluar së u rrituri. Kjo është e rëndësishme”, deklaroi lideri ukrainas.

Zelensky shtoi se e vetmja mënyrë që Rusia ta përmbysë këtë situatë do të ishte thirrja e më shumë njerëzve për shërbim ushtarak.

Ai gjithashtu u bëri thirrje pjesëmarrësve në Davos që kanë mundësi të sjellin investime në Ukrainë, ta bëjnë këtë, përpara se të përmbyllte fjalimin e tij.

Ndryshe, Zelensky ka deklaruar se “takimi i parë trepalësh” mes Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara pritet të mbahet nesër. /Telegrafi/