Please enter at least 3 characters.

Rusia kryen sulme të reja në Kiev - të paktën nëntë civilë të vdekur

Të paktën 9 persona kanë humbur jetën dhe 30 të tjerë janë plagosur gjatë një sulmi masiv rus ndaj kryeqytetit ukrainas, Kiev. Mes të plagosurve janë edhe katër fëmijë, ndërsa 17 persona vazhdojnë të marrin trajtim në spital.

Ekipet e shpëtimit vijojnë punën për pastrimin e rrënojave në vendet ku kanë rënë goditjet. Deri tani, nga ndërtesat e dëmtuara janë shpëtuar 105 persona.

Numri më i madh i viktimave është regjistruar në distriktin Darnytskyi, ku shtatë persona u vranë dhe 14 të tjerë u plagosën. Nga sulmet u dëmtuan ndërtesa banimi, objekte administrative dhe automjete.

Në distriktin Solomianskyi, një ndërtesë shumëkatëshe u dëmtua rëndë dhe pjesërisht u shemb, duke shkaktuar vdekjen e dy personave.

Sipas të dhënave paraprake nga kanalet monitoruese, Rusia ka lëshuar të paktën 25 raketa drejt Kievit, përfshirë raketa Iskander dhe Zircon, si dhe dronë me motor reaktiv.

Sulmi i fundit vjen në një periudhë kur përleshjet mes Rusisë dhe Ukrainës vazhdojnë të intensifikohen, ndërsa Kievi është përballur vazhdimisht me sulme ajrore ndaj zonave civile dhe infrastrukturës kritike. /Telegrafi/