Rukiqi: Kosova po shpenzon 250 milionë euro në vit për import të energjisë, ndërsa heziton të diskutojë alternativat amerikane
Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Berat Rukiqi, ka ngritur shqetësimin për varësinë e Kosovës nga importi i energjisë, duke thënë se vendi po shpenzon rreth 250 milionë euro në vit për këtë qëllim, ndërkohë që – sipas tij – mungon një debat serioz për alternativa strategjike afatgjata.
Rukiqi ka përmendur si opsion edhe gazifikimin dhe gazin e lëngshëm amerikan (LNG), duke theksuar se Kosova po heziton t’i trajtojë këto alternativa në mënyrë të strukturuar dhe strategjike.
“A është normale që Kosova të shpenzojë rreth 250 milionë euro në vit për import të energjisë, ndërsa heziton të diskutojë seriozisht alternativat strategjike amerikane?”, ka shkruar ai.
Ai i është referuar edhe diskutimit të organizuar një ditë më parë nga Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham) për LNG-në dhe gazifikimin, ku – sipas tij – mesazhi kryesor i përfaqësuesve të Departamentit Amerikan të Energjisë ka qenë i qartë: “Siguria energjetike është siguri kombëtare.”
Në këtë kontekst, Rukiqi ka theksuar se në kohën e inteligjencës artificiale, qendrave të të dhënave (data centers) dhe industrive të avancuara, energjia nuk duhet parë vetëm si çështje ekonomike.
“Sot energjia nuk është vetëm çështje ekonomike. Është çështje zhvillimi, sigurie dhe sovraniteti”, ka deklaruar ai.


