Rubio: Ukraina dhe rusët tani po luftojnë për një zonë prej 50 kilometrash
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, në një intervistë për Fox News foli për luftën në Ukrainë, ku dha vlerësimin për gjendjen aktuale në terren, si dhe informacione mbi ecurinë e negociatave me Rusinë dhe Ukrainën.
Në fillim tha se dëshiron të sqarojë deklaratat e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, se kjo është “lufta më e lehtë për t’u zgjidhur”.
“Mendoj se ai në fakt dëshiron të thotë se kjo është lufta më jologjike. Është një luftë për të cilën logjikisht do të përfundonit se duhet të marrë fund, sepse në kuptimin tradicional të fitores, në të vërtetë askush nuk po fiton. 7.000 ushtarë rusë po vriten çdo javë. Pra, 7000 është më shumë se sa kemi humbur ne në disa luftëra të tëra. Ata humbin 7.000 ushtarë në javë vetëm nga ana ruse, pa përmendur shkatërrimin nga ana ukrainase”, tha Rubio.
Më pas ai vlerësoi gjendjen aktuale në front dhe shpjegoi qasjen amerikane ndaj negociatave.
“Ajo për të cilën po luftohet aktualisht është një hapësirë prej 30 deri në 50 kilometra dhe ato 20 për qind të rajonit të Donetskut që kanë mbetur. Dhe ajo që kemi provuar të bëjmë, dhe mendoj se kemi arritur njëfarë përparimi, është të kuptojmë se me çfarë mund të pajtohen ukrainasit, në mënyrë që t’u ofrojë atyre garanci sigurie për të ardhmen, që të mos sulmohen më kurrë, që t’u mundësojë jo vetëm të rindërtojnë ekonominë e tyre, por edhe të përparojnë si shtet, të jenë një vend me ekonomi në rritje. Teorikisht, nëse bëjnë gjërat e duhura, për 10 vjet PBB-ja e Ukrainës mund të jetë më e madhe se ajo e Rusisë”, tha ai.
Rubio më tej sqaroi se me marrëveshjen e paqes synohet të arrihet një situatë ku Ukraina nuk do të rrezikohet më nga sulmet në të ardhmen.
Ai theksoi se ka njerëz që mendojnë se nuk duhet të bisedojmë me Rusinë dhe se konflikti mund të zgjidhet vetëm përmes dialogut me Ukrainën, duke i quajtur ata “jologjikë”. Megjithatë, ai nënvizoi se duhet marrë parasysh qëndrimi i Ukrainës.
“Ata kanë qenë shumë të guximshëm në luftën e tyre. Por ne mendojmë se tani është koha ideale që të dyja palët ta përfundojnë luftën. Dhe nëse ekziston një mënyrë për të kapërcyer hendekun mes dy palëve, ne jemi të vetmit në botë që mund ta bëjmë këtë, dhe kjo është ajo që po përpiqemi të realizojmë”, tha ai.
Në fund Rubio shtoi se vendimi i takon rusëve dhe ukrainasve “nëse vendosin që nuk duan ta përfundojnë luftën, lufta do të vazhdojë. Por ne do të përpiqemi ta sjellim drejt fundit, dhe mendoj se presidenti duhet lavdëruar për këtë, e jo sulmuar apo kritikuar. Disa nga këta njerëz kanë idenë se politika jonë duhet të jetë të vazhdojmë të financojmë Ukrainën me shuma të pakufizuara për aq kohë sa zgjat lufta. Kjo nuk është reale. Kjo nuk është realitet. Dhe nuk do të ndodhë. Prej kohësh kemi thënë se ai volum dhe ai ritëm nuk janë të qëndrueshëm. Dhe gjithashtu nuk mendoj se është reale që Rusia ta vazhdojë këtë luftë edhe katër apo pesë vjet të tjera”.
Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit 2022 duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta materiale. /Telegrafi/


