Please enter at least 3 characters.

Rriten eksportet në krahasim me importet, Mickoski: Deficiti tregtar po ulet, rritja ekonomike këtë vit pritet të arrijë deri në 4%

hristijan mickoski
hristijan mickoski
hristijan mickoski

Eksportet po rriten më shpejt se importet, ndërsa deficiti tregtar po ulet, njoftoi kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu referuar të dhënave për shtatë muajt e parë të vitit.

Sipas tij, rezultatet e korrikut kanë qenë mbi pritshmëritë, ndërsa rritja e importeve lidhet kryesisht me çmimet e larta të naftës. Mickoski vlerëson se stabilizimi i tyre do ta ulte edhe më tej deficitin tregtar.

“Të dhënat e para për muajin e parë të tremujorit të tretë, që është korriku, janë vërtet mbi pritshmëritë tona, veçanërisht sa i përket eksporteve, të cilat, e përsëris, po rriten më shpejt se importet. Ndërsa importet po rriten për shkak të çmimeve të larta të naftës dhe produkteve të saj. Nëse ajo pjesë e tregut do të stabilizohej, atëherë ajo diferencë do të ishte edhe më e madhe dhe mbulimi do të ishte edhe më i madh. Kjo do të thotë se deficiti tregtar do të ishte edhe më i vogël, gjë që për mua është me të vërtetë një tregues tjetër se më në fund mund të flasim për një situatë të konsoliduar. Duke marrë parasysh se ku ishim 25-26 muaj më pare”, tha Mickoski.

Sipas Mickoskit, këto rezultate u arritën në kushte komplekse globale, ndërsa bota po përballet me një krizë energjetike dhe ekonomike, dhe Bashkimi Evropian po shënon rritje prej 1.2%, dhe eurozona vetëm 1%.

“Vitin 2024 e mbyllëm me një rritje të produktit të brendshëm bruto prej afërsisht 3%, vitin 2025 3.5%, këtë vit në gjysmën e parë jemi 3.7%, presim ta mbyllim vitin midis 3.5 dhe 4% në kushte kur kemi krizën më të madhe energjetike në botë që njerëzimi e mban mend, luftën në Ukrainë, por edhe krizën ekonomike në rritje në Evropë, dhe mendoj se kjo përfaqëson një rezultat vërtet të mirë dhe pozitiv”, u shpreh Mickoski.

Kryeministri Hristijan Mickoski beson se Maqedonia në tre vitet e ardhshme do të jetë një vend shumë më i mirë për të jetuar sesa është sot. /tv21