Rrezikohet transporti i udhëtarëve në Fushë Kosovë, Murseli: Pasojat nuk duhet t’i bartin qytetarët
Asamblisti i PDK-së në Fushë Kosovë, Valon Murseli, ka kritikuar qeverisjen komunale lidhur me situatën e transportit publik, duke thënë se disa nga premtimet e dhëna gjatë fushatës zgjedhore nuk janë realizuar.
Murseli ka rikujtuar se ndër premtimet për mandatin 2025–2029 ishte krijimi i një sistemi të transportit të udhëtarëve, riorganizimi dhe shtimi i linjave, si dhe subvencionimi i autobusëve.
“Në mesin e 110 premtimeve për mandatin 2025–2029 ishin krijimi i një sistemi të transportit të udhëtarëve, riorganizimi, shtimi i linjave, si dhe subvencionimi i autobusëve”, ka shkruar Murseli.
Sipas tij, situata aktuale është ndryshe nga ajo që ishte premtuar, pasi operatorët e linjave Grabovc–Prishtinë, Halilaq–Prishtinë, Hencë–Prishtinë dhe Miradi e Epërme–Prishtinë kanë paralajmëruar pezullimin e përkohshëm të transportit nga 19 gushti, për shkak të vështirësive financiare.
“Sot, realiteti është krejt tjetër. Operatorët e linjave Grabovc–Prishtinë, Halilaq–Prishtinë, Hencë–Prishtinë dhe Miradi Epërme–Prishtinë kanë njoftuar se nga 19 gushti do ta pezullojnë përkohësisht transportin për shkak të vështirësive financiare”, ka deklaruar ai.
Murseli ka pretenduar gjithashtu se në Kornizën Afatmesme Buxhetore 2027–2029 nuk është përfshirë ndonjë zgjidhje konkrete për këtë problem.
“Në KAB 2027–2029 nuk është përfshirë asnjë nga këto premtime dhe nuk është paraparë zgjidhje konkrete për këtë problem real”, ka shkruar asamblisti opozitar.
Ai ka kërkuar nga Komuna e Fushë Kosovës që të ndërhyjë për të gjetur një zgjidhje për transportin publik dhe të shqyrtojë mundësinë e subvencionimit të operatorëve.
“Prandaj, kërkojmë ndërhyrje të menjëhershme nga Komuna, duke shqyrtuar bazën ligjore dhe mundësinë e subvencionimit të transportit publik”, ka thënë Murseli.
Ai ka paralajmëruar se çështja duhet të zgjidhet sa më shpejt, në mënyrë që barra e ndërprerjes së transportit të mos bie mbi qytetarët.
“Kjo çështje duhet të marrë zgjidhje sa më shpejt, në mënyrë që pasojat të mos i bartin qytetarët”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/


