Rrëfimi tronditës i ish-yllit holandez për betejën me varësinë nga kokaina
Ish-mbrojtësi i Newcastle United, Daryl Janmaat, ka folur për herë të parë për periudhën e errët që pasoi përfundimin e karrierës së tij si futbollist, duke zbuluar një betejë me varësinë nga kokaina që për pak sa nuk i kushtoi gjithçka.
36-vjeçari pranoi se arriti në një pikë shumë të thellë, pasi një dëmtim në gju e detyroi të varte këpucët para kohe.
Janmaat pati një karrierë 15-vjeçare në nivel profesional, që e çoi nga Eredivisie në Ligën Premier, duke luajtur për klube si Feyenoord, Newcastle dhe Watford.
Ai ishte gjithashtu një figurë kyçe për Holandën në Botërorin e vitit 2014, ku zhvilloi pesë ndeshje teksa “Tulipanët” fituan ndeshjen për vendin e tretë ndaj Brazilit.
Megjithatë, vështirësitë në fundin e karrierës e shtynë të fliste hapur për ditët më të errëta, duke zbuluar betejën me varësinë.
“Kam tre fëmijë që gjithashtu dëgjojnë dhe lexojnë gjëra. Nuk mundem dhe nuk dua të përmend të gjitha detajet, por varësia ime nga kokaina ka shkaktuar shumë mjerim”, u shpreh Janmaat gjatë një bisede në Amsterdam, duke reflektuar mbi një luftë që mbeti e fshehur nga publiku deri në fund të vitit 2023.
Rënia nisi kur një problem i vazhdueshëm në gju u përkeqësua nga një gabim mjekësor, duke i dhënë fund efektivisht karrierës së tij kundër vullnetit.
“Doja shumë të vazhdoja, por një dëmtim në gju ma prishi gjithçka. Gjuri ishte shumë i enjtur. Pas një injeksioni, diçka shkoi keq: nyja u infektua për shkak të një gjilpëre të gabuar. Karriera ime mori fund. Nuk munda ta përballoja”, shpjegoi ai.
Megjithatë, mungesa e mbështetjes në nivelet drejtuese vetëm sa e përshpejtoi rrëshqitjen e tij drejt përdorimit të drogës.
“Duhej të ndihmohesha nga të gjithë dhe nga gjithçka, por u lashë të përballesha i vetëm. Nuk kishte asgjë. Papritur humba strukturën që kisha pasur për vite me radhë si futbollist. Ishte e vështirë”.
“Varësia nga kokaina erdhi gradualisht. Fillon të gënjesh njerëzit që do. Kjo është e tmerrshme, kam lënduar shumë njerëz”, rrëfeu ish-ylli holandez./Telegrafi/


