Please enter at least 3 characters.

Rrëfimi i kasapit të ISIS-it

2016/01/rr-euml-fimi-i-kasapit-t-euml-isis-it_hd.jpg

Kishte pothuajse një vit që Abu Abdullah ishte njeriu më i kërkuar në Bagdad. Ai njihej në mesin e shefave të tij brenda "Shtetit Islamik" si "planifikuesi" – burri përgjegjës për përgatitjen e sulmuesve vetëvrasës në sulmet që kryheshin nëpër xhami, universitete, pika kontrolli dhe pazare anembanë kryeqytetit irakian.

Tani shtëpi e tij është bërë një qeli me masa të larta sigurie në kryeqytetin e vendit. Ai ka kaluar më shumë se 11 muaj prej se është kapur prej forcave të sigurisë. Prej aty, Abdullah i ka rrëfyer "Guardianit" për rolin e tij si njeriu që prodhonte bombat njerëzore që shpërndaheshin e shpërthenin anembanë Bagdadit. Ai mbase është njeriu që ka lënë më së shumti gjurmë në këtë vend që ka një dekadë që përballet me kryengritje të gjithfarshme.

Namaz para sulmit terrorist

Abdullahu është një prej të burgosurve me rastin më specifik me të cilin po merren zyrtarët e lartë të sigurisë së burgjeve. Është dashur të zhvilloheshin tre muaj negociata me drejtuesit e burgut për ta zhvilluar intervistën me të. Kur është dhënë leja, Abdullahu ka thënë se nuk është se flet diçka ndryshe në intervista. Thotë se flet lirisht për gjithçka që ka bërë dhe nuk ndihet pishman. Për 90 minuta ai ka rrëfyer në hollësi rolin e rij në fushatën e masakrave dhe kërdive më të tmerrshme që kanë goditur viteve të fundit Bagdadin.

Abdullahu tregon se kishte para se të arrestohej në korrikun e vitit të kaluar, kishte përgatitur 15 sulmues kamikazë, duke u lutur në momentet e fundit para nisjes për mision. Ai shikonte prej afër derisa ata afrohen te caku dhe hidhnin veten në erë. Ai thotë se rreth 100 persona janë vrarë prej sulmuesve që kanë dalë prej duarve të tij. Shumica prej viktimave ishin anëtarë të forcave irakiane të sigurisë. Kishte raste kur sulmoheshin edhe caqe civile, duke lënë të vdekur, pleq, gra e fëmijë.

"Ata vinin te unë në punëtori", ka deklaruar ai, duke treguar se prapa punëtorisë për meremetimin e makinave kishte dy dhoma të veçanta kur gatiteshin në periferi të Bagdadit.

Për më shumë se një vit, punëtoria ishte qendër e komandës e ISIS-it në kryeqytetin irakian.

"I takoja te dera dhe së pari i përshëndesja dhe i shihja nëse ishin të gatshëm. Pastaj uleshim të luteshim dhe lexonim Kuran".

Shpëlarja e trurit

Sipas Abdullahut, kishte raste kur ata që ishin nisur me misionin e kryerjes së sulmit kamikaz, ndërronin mendje kur hynin në punëtorinë e tij. Megjithatë, të gjithëve ua kishte mbushur mendjen për detyrën që i kishin shtruar vetes.

"U ndihmoja të rregullonin rripin vetëvrasës dhe ua shishja mirë që të mos u vërehej në asnjë pikë kontrolli të forcave të sigurisë. Nganjëherë këtë e bënim vetëm në momentet e fundit".

Gjatë intervistës, me kokën e mbuluar dhe duart e prangosura, ai jep përgjigjet duke mos u ndalur dy herë të mendojë para se të flasë. Për një dekadë me radhë, sistemi irakian i burgjeve është akuzuar prej organizatave të të drejtave të njeriut si vend ku të burgosurit torturohen prej forcave të sigurisë. Abdullah nuk duket se ka ndonjë shenjë torturimi në trup, por duket se nuk po ushqehet mirë. Nuk ka çehre të mirë. Gardianët dikur ia heqin mbulesën në kokë. Iraku nuk ka shënuar përparim në gjendje e burgjeve, edhe pse një zyrtar kishte urdhëruar që në të gjitha qelitë të kishte ndriçim dhe që të burgosurve t’u jepej ushqim i shëndetshëm.

"A mund ta merrni me mend. Të burgosurit kanë jetë më të mirë se në Bagdad", ka thënë një oficer burgjesh.

Islami po vjen

Kur largohen gardianët prej qelisë, Abdullahu ndihet më rehat dhe është më i lirë në muhabet.

"Cili është mesazhi juaj për Perëndimin?" pyetet ai.

Abdullahu nuk flet menjëherë, pastaj shikon kah dera që të sigurohet se mos është ndokush afër.

"Islami po vjen. Ajo që është arritur vitin e kaluar prej ‚Shtetit Islamik‘ nuk mund të zhbëhet. Kalifati është realitet“, thotë ai.

Abdullahu, emri i vërtetë i të cilit është Ibrahim Ammar Ali Al-Khazali, pretendon se ishte anëtar i ISIS-it dhe i të gjitha fraksioneve të formuara prej vitit 2004 para se të kulmonte me organizatën më terroriste në botë. Rruga e tij ishte e pabesueshme. Është i lindur si mysliman shiit dhe praktikoi fenë deri në fund të viteve nëntëdhjetë kur u konvertua në islamin sunit dhe hoqi dorë prej leksioneve të sektit rival.

Ai ka thënë se ka qenë aktiv në vitet e para të organizatës deri më 2007 kur ishte qëlluar në kokë gjatë një përleshje me forcat irakiane. Vraga shihen në veshin e majtë të tij, dhe pretendon se ciflat i kanë dëmtuar një pjesë të aparatit të të dëgjuarit. Ai kishte vendosur të mos hiqte dorë prej aktivitetit të tij pavarësisht plagëve.

"Ndodhi pas vitit 2011. doja të jetoja në një shtet islamik të sunduar prej sheriatit. Dua gjithçka që kërkon ISIS-i. Qëllimet e tyre janë edhe të miat, nuk ka kurrfarë dallimi".

Valiu i Bagdadit

Para kapjes së tij, Abdullah ka vepruar si «vali», ose emir i Bagdadit. Ai mori rolin menjëherë pas kapjes së ish-bosit të tij, Abu Shaker, që si puna e tij, po mbahet në një burg të sigurisë së lartë në Bagdad. Intervistimet e dyve kanë bërë që të zbulohet pjesa më e madhe e rrjetit të ISIS-it ndëmrjet viteve që ishte aktiv viteve 2011 dhe 2013 në Bagdad. Ishin militantët e ISIS-it që përshkallëzuan dhunën në kryeqytetin irakian.

Prej atëherë, operuesit e ISIS-it kanë treguar aftësi për organizim të ri, por edh egjatë kohës së qëndrimit të "Guardianit" në Irak për intervistë, policia e njësiteve antiterroriste ka bërë të ditur se kishte sekuestruar një sasi të madhe armatimi të rëndë në fermë në periferi të kryeqytetit.

Në korridorin që çon drejt zyrave të drejtuesve të burgut janë vendosur fotografitë e terroristëve të kërkuar. Të gjitha fotografitë janë varur në mur. Nëpër dhoma të veçanta të burgut janë vendosur rripa sulmuesish kamikazë dhe gjësende të tjera, si eksploziv, për ndërmarrjen e sulmeve prej anëtarëve të ISIS-it. Nëpër qeli të tjera shihen edhe terroristë të tjerë të arrestuar që mbahen këmbëzbathur lidhur me zinxhir e mbështetur për muri.

Edhe me dënimin e vdekjes që e pret, Abdullahu shihet prej njerëzve që ndihmoi se duhet të vazhdohet me trashëgiminë e tij për vrasjen e atyre që nuk kanë faj. Ata mendojnë se vdekja e tyre është e justifikueshme.

"Caqe legjitime"

"Shumica e atyre që vdiqën ishin caqe të vlefshme dhe ata që do të kapen në sulme do të pranohen te Zoti", ka thënë ai.

"Vetëm njëherë jam penduar. Një martir që e mora në Qadhimeya e çoi veten në erë afër grave dhe fëmijëve, dhe kjo më shqetësoi mua, por ditën tjetër isha rehat dhe nuk lodhesha për këtë punë. E di se duhet të isha me tërë qenien në ideologjinë time dhe kjo kaloi atë ditë".

Ai ka thënë se misioni operaticional ka përfunduar ditën e kapjes së tij dhe thotë se do ta përdor kohën që i ka mbetur para ekzekutimit për të folur hapur për bindjet e tij. I pyetur përsëri nëse është pishman, ai thotë: "Kam bërë gjithçka sipas bindjeve të mia. Nuk dua të flas për pendime dhe nuk dua të flas për familjen time".

Oficeri përgjegjës për qendrën korrektuese, thotë se "ai është ideolog, por ka të tjerë këtu që janë larg më ideologjikë se ky".

"Ai këndoi si zog ditën e parë. E pastaj provoi t’ua mbushte mendjen edhe të tjerëve të bënin të njëjtën gjë. Shkoi të fliste me tipin e quajtur Abu Takseen, që është më i ri se ai, por Abu Takseeni e sulmoi. E shihni me çfarë njerëz kemi punë".

Në punëtori, ku ishte planifikuar shumica e kërdisë së Bagdadit, një burrë që ishte fqinj me Abdullahun për më shumë se një vit ka thënë se nuk dyshonte asgjë te burri i qetë e fjalëpakë, që e përshëndeste sa herë e shihte.

"Por kurrgjë nuk po më habit më në këtë qytet. Bash kurrgjë", ka thënë ai. "Për asgjë në jetë më nuk habitem. Kështu të mëson jeta në këtë shtet".