Ronaldo në krye, Messi i dyti – njihuni me 10 futbollistët më të pasur që do të luajnë në Kupën e Botës 2026
Cristiano Ronaldo kryeson bindshëm listën e yjeve më të pasur të Kampionatit Botëror 2026, ndërsa Lionel Messi dhe Neymar kompletojnë podiumin e futbollistëve me pasurinë më të madhe në turneun më të madh të planetit.
Kupa e Botës 2026 nuk do të mbledhë vetëm futbollistët më të mirë të planetit, por edhe disa nga sportistët më të pasur në histori. Në listën e yjeve me pasurinë më të madhe spikat Cristiano Ronaldo, i cili vazhdon të dominojë jo vetëm në fushë, por edhe në aspektin financiar.
Portugezi kryeson renditjen me një pasuri të vlerësuar në rreth 1.2 miliardë euro, duke qenë futbollisti i vetëm në turne që ka arritur këtë shifër marramendëse. Menjëherë pas tij vjen rivali i përhershëm, Lionel Messi, me 868 milionë euro pasuri.
Vendin e tretë e mban Neymar, me 391 milionë euro, ndërsa në pozitën e katërt renditet Kylian Mbappe. Sulmuesi francez, i cili konsiderohet një nga figurat kryesore të futbollit modern, ka një pasuri të vlerësuar në 218 milionë euro.
Në pesëshen e parë gjendet edhe Harry Kane me 129 milionë euro, ndërsa Mohamed Salah renditet i gjashti me 122 milionë euro. Të dy vazhdojnë të jenë ndër emrat më të rëndësishëm të futbollit botëror dhe ndër lojtarët më të paguar të brezit të tyre.
Lista vazhdon me Son Heung-min, i cili ka grumbulluar 87 milionë euro, ndërsa Riyad Mahrez renditet i teti me 74 milionë euro. Sulmuesi algjerian mbetet një nga futbollistët afrikanë më të suksesshëm financiarisht.
Befasi për shumë tifozë mund të jetë pozita e Erling Haalandit. Ylli norvegjez, pavarësisht statusit si një nga futbollistët më të mirë në botë, renditet i nënti me 69 milionë euro pasuri, kryesisht për shkak të moshës së re krahasuar me rivalët e tij në listë.
Top 10-shen e mbyll James Rodriguez. Kolumbiani, i cili vazhdon të jetë një emër i njohur në futbollin ndërkombëtar, ka një pasuri të vlerësuar po ashtu në 69 milionë euro.
Renditja dëshmon se Kupën e Botës 2026 nuk do ta karakterizojë vetëm lufta për trofeun më të madh në futboll, por edhe prania e disa prej sportistëve më të pasur dhe më të famshëm të globit. /Telegrafi/


