Please enter at least 3 characters.

Rodri e shokon Barcelonën, i premton besnikëri Man Cityt: Nëse nuk largohem, do të jap gjithçka

Rodri ka dhënë një sinjal të qartë për të ardhmen e tij te Manchester City, duke pranuar se dëshiron të largohet nga klubi, por njëkohësisht duke garantuar se do të vazhdojë të japë maksimumin nëse marrëveshja e duhur nuk arrihet gjatë këtij afati kalimtar.

“Sky Sports” raporton se spanjolli ia ka bërë të qartë skuadrës angleze se prioriteti është kalimi te Barcelona, por nëse këta të fundit nuk i plotësojnë kërkesat e anglezëve, atëherë asgjë nuk do të ndryshojë.

“Do të doja të largohesha, por e pranoj se nëse oferta e duhur nuk është në tavolinë, do të jap gjithçka që kam për këtë klub gjatë 12 muajve të ardhshëm”, është mesazhi i spanjollit.

Barcelona tashmë ka bërë dy oferta për mesfushorin, por të dyja janë refuzuar nga City. Oferta e fundit ishte rreth 55 milionë funte, afërsisht 64-65 milionë euro, ndërsa klubi anglez kërkon një shumë më të lartë për ta lejuar largimin e tij.

Raportimet e fundit sugjerojnë se Manchester City kërkon të paktën rreth 60-65 milionë funte, ndërsa disa burime raportojnë se kërkesa mund të arrijë deri në 80 milionë euro me bonuse. Barcelona, ndërkohë, po përgatit atë që mund të jetë oferta e saj përfundimtare.

Situata është e lidhur edhe me planet e reja të Manchester Cityt. Klubi po tenton të afrojë Enzo Fernandezin nga Chelsea si zëvendësues të mundshëm të Rodrit, ndërsa “Blutë” ka vendosur një afat deri të premten për një ofertë që plotëson kërkesat e tyre prej 120 milionë funtesh./Telegrafi/