Robotikë, inteligjencë artificiale dhe programim - po vjen Vushtrria Code Fest 2026
Komuna e Vushtrrisë do të organizojë edicionin e sivjetmë të “Vushtrria Code Fest 2026”, ngjarje e cila konsiderohet si një nga festivalet më të mëdha të teknologjisë, inovacionit dhe kreativitetit për të rinjtë në vend.
Festivali do të mbahet nën patronatin e kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, dhe pritet të mbledhë rreth 220 nxënës nga shkollat e komunës, të cilët do të prezantojnë projekte inovative në fushat e programimit, robotikës, inteligjencës artificiale dhe teknologjisë.
Sipas organizatorëve, gjatë dy ditëve të festivalit pritet të marrin pjesë mbi 4,000 vizitorë, duke e shndërruar këtë aktivitet në një nga ngjarjet më të mëdha edukative dhe teknologjike në Kosovë.
Panairi i Inovacionit do të mbahet më 23 qershor në Shtëpinë e Kulturës “Hasan Prishtina” në Vushtrri, nga ora 10:00 deri në 14:00, ku nxënësit do të prezantojnë idetë dhe projektet e tyre para komunitetit, institucioneve dhe përfaqësuesve të sektorit privat.
Ndërkaq, festivali do të përmbyllet më 24 qershor me Gala Mbrëmjen dhe Ceremoninë Përmbyllëse, e cila do të zhvillohet nga ora 19:00 në Sheshin e Qytetit në Vushtrri.
Organizatorët theksojnë se “Vushtrria Code Fest 2026” synon promovimin e talenteve të reja, nxitjen e inovacionit dhe zhvillimin e aftësive teknologjike te gjeneratat e reja, duke krijuar një platformë ku të rinjtë mund të shpalosin kreativitetin dhe potencialin e tyre në fushën e teknologjisë. /Telegrafi/


