Please enter at least 3 characters.

Riza Krasniqi propozon financim të plotë për studentët tonë në 100 universitetet më të mira të botës

Kandidati për deputet nga LDK-ja me numrin 105, Riza Krasniqi gjatë paraqitjes së tij mbrëmë në emisionin Rubikon, ngriti shqetësimin për nivelin e ulët të mbështetjes shtetërore për studentët kosovarë që arrijnë të pranohen në universitetet më prestigjioze të botës.

Sot, një student nga Kosova që arrin të pranohet në universitete si MIT, Harvard, Oxford, Cambridge apo Stanford mund të përfitojë vetëm rreth 5,000 deri në 7,000 euro mbështetje nga shteti.

Sipas Krasniqit, kjo është një shumë simbolike krahasuar me kostot reale të studimeve dhe jetesës në këto institucione.

“Po të thjeshtonim buxhetin e Kosovës në 100 euro, studentët tanë më të mirë do të merrnin vetëm 2 cent. Kjo është vlera që po ua japim talenteve tona”, deklaroi Krasniqi.

Ai solli si shembull Maqedoninë e Veriut, e cila prej më shumë se 15 vitesh mbështet studentët e pranuar në universitetet më të mira të botës me fonde që mund të arrijnë deri në 40,000 dollarë në vit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, rreth 100 studentë nga Kosova regjistrohen çdo vit në universitete të rangut më të lartë ndërkombëtar.

Krasniqi vlerëson se mbulimi i plotë i shpenzimeve të tyre do t’i kushtonte buxhetit të Kosovës rreth 3 milionë euro në vit.

“Pastaj habitemi pse rezultatet tona në testet ndërkombëtare si PISA mbeten ndër më të dobëtat në Evropë dhe pse shumë të rinj të talentuar nuk e shohin Kosovën si vendin ku mund të ndërtojnë të ardhmen e tyre. Nuk mund të presim rezultate të ndryshme, nëse nuk investojmë tek ata që kanë dëshmuar potencialin e tyre për të qenë ndër më të mirët në botë”, tha ai.

Propozimi i Krasniqit parasheh krijimin e një programi kombëtar që do të mbulojë plotësisht shpenzimet e studentëve të pranuar në 100 universitetet më të mira të botës.

“Studentët më të mirë nuk janë shpenzim. Ata janë investimi më i sigurt për të ardhmen e Kosovës. Nëse duam një ekonomi më të fortë, më shumë inovacion dhe institucione më të suksesshme, duhet të fillojmë duke investuar tek mendjet më të ndritura të vendit”, përfundoi Krasniqi. /Telegrafi/