Please enter at least 3 characters.

Rikthimi i shumëpritur i Vedat Muriqit – ylli kosovar pritet të luajë ndaj Sturm Grazit

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, pritet të bëjë paraqitjen e parë pas rikthimit te Fenerbahce në përballjen ndaj Sturm Grazit në kuadër të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Mediat turke kanë raportuar të premten se emri i Muriqit është përfshirë në listën që Fenerbahçe ia ka dorëzuar UEFA-s për ndeshjet ndaj skuadrës austriake.

Ndeshja e parë mes Fenerbahces dhe Sturm Grazit zhvillohet më 5 gusht në Stamboll, ndërsa klubi turk shpreson të ketë në dispozicion sulmuesin kosovar, i cili ka qenë jashtë për shkak të një lëndimi.

Mediumi turk Fanatik ka bërë të ditur se Muriqi ka avancuar në procesin e rikuperimit dhe gjendja e tij po ndiqet nga afër nga stafi mjekësor i klubit.

“Vedat Muriqi, i cili vazhdon stërvitjen nën mbikëqyrjen e ekipit mjekësor të klubit, raportohet se është rikuperuar nga lëndimi. Sulmuesi, i cili është afër përfundimit të programit individual, pritet së shpejti të fillojë stërvitjet me ekipin”, ka shkruar Fanatik.

Sipas të njëjtit medium, stafi teknik i Fenerbahces do ta vlerësojë gjendjen fizike të Muriqit para vendimit përfundimtar nëse ai do të jetë i gatshëm për duelin ndaj Sturm Grazit.

Muriqi pësoi një lëndim në muskulin e këmbës së djathtë gjatë kampit përgatitor, por rikuperimi i tij ka shkuar në drejtimin e duhur.

Sulmuesi 32-vjeçar u rikthye këtë verë te Fenerbahçe pas paraqitjeve të shkëlqyera në futbollin spanjoll, ku la gjurmë me golat dhe paraqitjet e tij./Telegrafi/