Please enter at least 3 characters.

Reperi Lil Nas X hospitalizohet për një mbidozë të mundshme - ai u pa rrugëve i zhveshur në të brendshme duke bërë gjeste të çuditshme

Reperi i njohur amerikan Lil Nas X raportohet se është shtruar në spital pasi është parë duke ecur në mes të rrugës në orën 4 të mëngjesit, vetëm me të brendshme dhe çizme kauboji – me policinë që dyshon se bëhet fjalë për një mbidozë të mundshme.

Sipas TMZ, artisti me emrin e vërtetë Montero Lamar Hill ka shfaqur sjellje të çrregullt në Ventura Boulevard të enjten herët në mëngjes, gjë që bëri që disa banorë të Studio City ta lajmërojnë rastin në LAPD, shkruan DailyMail.

Raportohet se qytetarët i thanë policisë se kishin parë një burrë të zhveshur duke ecur në rrugë. Kur oficerët mbërritën, 26-vjeçari ende po ecte dhe madje, sipas burimeve, u përplas drejt tyre përpara se të ndalohej dhe të lidhej me pranga.

https://twitter.com/TMZ/status/1958574199049523265

Policët informuan ekipin mjekësor se rasti mund të ishte mbidozë, dhe këngëtari i hitit “Old Town Road” u dërgua menjëherë në spital, ku po merr trajtim.

Ky incident vjen vetëm katër muaj pasi reperi ishte shtruar në spital për paralizë të pjesshme të fytyrës. Burime të zbatimit të ligjit thanë për TMZ se ai mund të përballet edhe me akuza pas kësaj ngjarjeje.

Në pamjet e siguruara nga një kalimtar, Lil Nas X shihet duke kënduar, duke folur pa pushim për një “party”, duke bërë poza, madje edhe duke vendosur një kon portokalli trafiku mbi kokë.

Në një moment, ai i thotë kameramanit: “Mos u vono në festën e sonte… e di ti ku është”, ndërsa më pas kërkon telefonin për ta hedhur larg, duke thënë se “nuk i pëlqen telefonat”.

Lil Nas X më herët ka folur hapur për eksperimentet e tij me droga. Në vitin 2021, në një intervistë për WSJ, ai tregoi se kishte provuar kërpudha psikedelike gjatë punës për albumin e tij të parë “Montero”, duke thënë se kjo përvojë e ndihmoi të hapet emocionalisht dhe të shkruajë tekste më personale.

Ndërsa në vitin 2020, për revistën Variety, reperi rrëfeu se humbja e gjyshes e kishte çuar drejt konsumit të shpeshtë të marihuanës për ta përballuar dhimbjen emocionale.

Incidenti aktual ndodh vetëm pak muaj pasi reperi publikoi një video nga shtrati i spitalit, ku shpjegonte se kishte humbur kontrollin mbi anën e djathtë të fytyrës.

Në klip, Lil Nas X shfaqej në humor të mirë pavarësisht paralizës së pjesshme, duke thënë me ironi: “Kjo është fytyra ime kur përpiqem të qesh. Çfarë dreqin? Nuk mund të qesh dot, bro!”.

Megjithatë, orë më vonë ai i qetësoi fansat duke thënë se “është mirë” dhe i kërkoi atyre të mos shqetësohen për të.

“Jam mirë, mos u mërzisni për mua! Bëni qejf për mua!”, kishte shkruar ai, duke ndarë edhe një selfie nga spitali. /Telegrafi/