Please enter at least 3 characters.

Recetë e thjeshtë për një vakt perfekt shtëpie

Recetë e thjeshtë për një vakt perfekt shtëpie

Rizoto me pulë është një nga ato gatime që bashkon përbërës të thjeshtë me një shije të pasur dhe të plotë. Përgatitet ngadalë, duke u përzier vazhdimisht, gjë që i jep teksturën e veçantë kremoze dhe e kthen në një ushqim që sjell rehati të vërtetë.

Është zgjedhje ideale si për një drekë të shpejtë familjare, ashtu edhe për një darkë elegante, sepse me pak kujdes dhe teknikën e duhur gjithmonë lë përshtypjen e kuzhinës shtëpiake me një dozë sharmi italian, transmeton Telegrafi.

Informacione bazë

Lloji i gatimit: Pjatë kryesore / Drekë / Darkë
Koha e përgatitjes: 10–15 minuta
Koha e gatimit: 25–30 minuta
Vështirësia e përgatitjes: Mesatare – e lehtë

Përbërësit

  • 200 g oriz
  • 200 g mish pule (fileto), i prerë në kube
  • 1 qepë e vogël, e grirë imët
  • 1 gotë verë e bardhë
  • 600–700 ml lëng pule i nxehtë (bujon)
  • 1 lugë gjelle gjalpë
  • 2 lugë gjelle vaj ulliri
  • kripë dhe piper sipas shijes
  • 40–50 g parmixhan i grirë
  • majdanoz i freskët (opsional

Përgatitja

1. Përgatitja e lëngut të pulës
Në një tenxhere të veçantë ngrohni lëngun e pulës dhe mbajeni gjithmonë të nxehtë – ky është çelësi për një rizoto të mirë.

2. Kaurrdisja e qepës
Në një tenxhere të gjerë dhe të cekët ngrohni vajin e ullirit dhe gjysmën e gjalpit. Shtoni qepën dhe kaurrdiseni në zjarr mesatar derisa të bëhet transparente (nuk duhet të marrë ngjyrë).

3. Mishi i pulës
Shtoni mishin e pulës dhe kaurdiseni 5–7 minuta, derisa të marrë lehtë ngjyrë dhe të lëshojë lëngun. Kriposeni dhe piperoseni.

4. Orizi
Shtoni orizin (mos e lani!) dhe skuqeni lehtë 1–2 minuta duke e përzier vazhdimisht, që çdo kokërr të vishet me yndyrë.

5. Vera e bardhë
Hidhni verën dhe përzieni derisa alkooli të avullojë, duke lënë vetëm aromën e këndshme.

6. Shtimi gradual i bujonit
Shtoni një garuzhde me bujon të nxehtë dhe përzieni derisa orizi ta përthithë lëngun. Vazhdoni kështu, garuzhde pas garuzhde, duke përzier vazhdimisht.

7. Gatimi deri në perfeksion
Pas 18–22 minutash, orizi duhet të jetë kremoz, por në qendër pak i fortë.

8. Finalizimi
Hiqeni nga zjarri. Përzieni gjalpin e mbetur dhe parmixhanin. Provojeni dhe, nëse është e nevojshme, rregulloni shijen.

Sekrete të vogla për rizoton perfekte

  • Mos e lani orizin – niseshteja i jep teksturën kremoze
  • Përzieni shpesh, por me kujdes
  • Rizoto duhet të jetë e lëngshme dhe kremoze, jo e thatë dhe jo si qull
  • Shërbejeni menjëherë – rizoto nuk e duron pritjen

Ju bëftë mirë. /Telegrafi/