Please enter at least 3 characters.

Real Sociedadi e fiton Kupën e Mbretit, e mposht Atletico Madridin pas penalltive

Real Sociedadi e ka fituar trofeun e Kupës së Mbretit për ta mposhtur Atletico Madridin pas penalltive.

Përballja ishte tepër dramatike nga fillimi, me epilogun përfundimtar që rezultoi të jetë 2-2, ndërsa nga pika e bardhë Sociedad u tregua më e saktë për të fituar me rezultat

Pas vetëm 13 sekondave lojë, Real Sociedadi mori epërsinë falë Ander Barrenetxea për të shënuar me kokë (1’). Ky gol përndryshe ishte më i shpejti në historinë e Kupës së Mbretit.

Megjithatë, Atletico Madridi u kthye shpejtë në lojë falë Ademola Lookman, i cili realizoi pas një topi të kthyer (18’).

Sidoqoftë, Sociedadi e riktheu epërsinë pasi Juan Musso shkaktoi një penallti. Ishte Mikel Oyarzabal që realizoi nga pika e bardhë (45+1’).

Atletico në pjesën e dytë ishte skuadër shumë më e mirë, ku krijuan disa raste përmes Julian Alvarez e Lookman, por që s’ia dolën t’i finalizojnë.

Heroi i “Los Rijoblancos” rezultoi të jetë Alvarez që shënoi një supergol për ta dërguar ndeshjen në vazhdime (83’).

Në dy vazhdimet nga 15 minuta, asnjëra nga skuadrat nuk arriti t’i finalizojë kësisoj fituesit u vendosën në penallti. Nga pika e bardhë më të mirë u treguan Sociedadi.

Heroi i tyre ishte portieri Unai Marrero i cili arriti t’i ndalë goditjet e dyshes Alexander Sorloth e Julian Alvarez, derisa rezultati përfundimtar doli të jetë 3-4.

Kësisoj, Sociedadi e fiton Kupën e Mbretit ndërsa Atleticos i mbetet të luftojë vetëm për Ligën e Kampionëve./Telegrafi/