Real Madridi po vendos për të ardhmen e Nico Paz
E ardhmja e Nico Paz vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes në zyrat e Real Madridit. Klubi madrilen nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar, ndërsa po vlerëson dy skenarë, rikthimin e mesfushorit të ri në “Santiago Bernabeu” ose shitjen e tij për një shumë të konsiderueshme, duke përfituar nga rritja e madhe e vlerës së lojtarit gjatë sezonit të fundit.
Në verën e vitit 2024, Real Madridi miratoi transferimin e Nico Paz te Como për 6 milionë euro.
Në atë kohë, argjentinasi 21-vjeçar kishte pak hapësira te ekipi i parë madrilen, ndërsa klubi italian i drejtuar nga Cesc Fabregas pa potencial të menjëhershëm tek ai.
Zgjedhja rezultoi e goditur: Paz është shndërruar në një element kyç të sistemit të Comos, duke zhvilluar 47 ndeshje zyrtare, me 10 gola dhe 13 asiste.
Opsionet e Real Madridit
Los Blancos kanë ruajtur 50% të të drejtave ekonomike të lojtarit, si dhe tre klauzola riblerjeje.
E para ka skaduar verën e kaluar, ndërsa dy të tjerat mbeten aktive për vitet 2026 dhe 2027, përkatësisht për 9 dhe 10 milionë euro.
Sipas AS, Real Madridi po e shqyrton seriozisht rikthimin e Paz në verën e ardhshme, duke parë progresin e jashtëzakonshëm të tij.
Megjithatë, interesimi i madh nga klube të mëdha evropiane mes tyre Chelsea, Tottenham dhe Inter, ka bërë që drejtuesit e klubit të mos përjashtojnë as opsionin e një shitjeje përfundimtare, që mund të rezultonte shumë fitimprurëse. /Telegrafi/


