Real Madridi i kërkon para Romës për të luajtur ndeshje miqësore në Olimpico
Skuadra italiane Roma këtë edicion nuk do të luaj në Ligën e Kampionëve.
E falë mungesës së tyre në garën më të madhe evropiane për klube, nuk pritet që në Olimpico të zbarkojnë skuadra të mëdha.
Kjo ka bërë që Roma të kërkojë nga Real Madridi zhvillimin e një ndeshje miqësore më 11 gusht në Olimpico.
Kampionët e 13fishtë të Evropës e kanë pranuar ofertën e Romës, por kanë kërkuar nga Giallorosët 600 mijë euro.
Natyrisht kjo kërkesë e madrilenëve është pranuar nga Roma që synon t’i kënaq të pranishmit në Olimpico.
Mediat italiane kanë raportuar se Roma pritet të ngrit edhe çmimin e biletave për këtë takim.
Edhe pse ende nuk është caktuar orari, besohet se kjo ndeshje do të zhvillohet në mbrëmje.
Kësisoj pas një edicioni dëshpërues në Serie A, Roma pritet t’i kënaq adhuruesit e tyre duke i mundësuar t’i shohin nga afër yjet e Real Madridit.
Kujtojmë që Roma dhe Real Madrid edicionin e kaluar ishin në të njëjtin grup në Ligën e Kampionëve, ku Los Blancos kishin triumfuar në të dyja takimet, 3-0 në Bernabeu dhe 0-2 në Olimpico. /Telegrafi/


