Real Madridi e di tashmë klauzolën e lirimit të Mourinhos
E ardhmja e stolit të Real Madridit vazhdon të jetë temë e nxehtë, teksa përfaqësues, agjentë dhe ndërmjetës po shtojnë kontaktet në prag të verës. Sipas AS, në orët e fundit janë shumuar ofertat për trajnerë, por njëra ka tërhequr vëmendje të veçantë: ajo e José Mourinhos.
Pika kryesore e kësaj lëvizjeje lidhet me klauzolën e lirimit së trajnerit portugez. AS raporton se Real Madridi është informuar zyrtarisht për kushtet e kontratës së Mourinhos me Benficën dhe, në veçanti, për klauzolën që do t’i mundësonte atij të largohej nga klubi aktual.
Kjo do të thotë se, nëse Florentino Pérez dhe drejtuesit vendosin të ecin përpara, rruga për negociata është e qartë, Real Madrid do të duhej të vendoste nëse do të aktivizojë klauzolën (ose të negociojë një zgjidhje) për ta bërë të mundur rikthimin e Mourinhos në “Santiago Bernabéu”.
Në këtë proces, rol ka edhe marrëdhënia e trajnerit me klubin. Mourinho nuk e ka fshehur kurrë admirimin për klubin dhe as raportin e mirë me Florentino Pérezin, pavarësisht se largimi i tij nga Madridi pas sezonit të tretë u shoqërua me tensione.
Megjithatë, portugezi nuk e ka përjashtuar kurrë mundësinë e një “kapitulli të dytë”, dhe pikërisht kjo është arsyeja pse, sipas raportimit, agjenti i tij Jorge Mendes i ka ofruar Real Madridit opsionin e rikthimit, duke e vendosur klauzolën e lirimit si element kyç në diskutim.
Në Valdebebas, gjithsesi, fokusi zyrtar mbetet mbyllja e sezonit sa më fuqishëm të jetë e mundur. Vendimi përfundimtar për të ardhmen e Álvaro Arbeloas pritet të merret gjatë javëve të ardhshme, por deri atëherë ai do të vazhdojë të jetë në stol për pjesën e mbetur të garës.
Në fund, AS thekson se Mourinho është vetëm një nga emrat që kanë “qarkulluar” në listën e mundshme të Florentino Pérez. Mes trajnerëve të përmendur ditët e fundit janë: Mauricio Pochettino, Julian Nagelsmann, Massimiliano Allegri, Jürgen Klopp dhe Didier Deschamps. /Telegrafi/


