Real Madridi do të tentojë transferimin e Haaland nëse shitet Vini Jr
Real Madridi po përgatitet për një verë të nxehtë në afatin kalimtar dhe, sipas “Cadena SER”, Erling Haaland është shfaqur si opsioni ideal nëse Vinicius Junior vendos të largohet nga “Santiago Bernabéu”.
Klubi madrilen ka filluar të mendojë për alternativa në rast se një ofertë gjigante nga Arabia Saudite mbërrin për yllin brazilian, me idenë që një shitje e tillë mund t’i bashkonte në të njëjtin ekip Mbappén dhe Haalandin.
Gazetari i njohur Pacojo ka zbuluar se klauzola e lirimit të Viniciusit arrin në një miliard euro, por Real Madridi do të ishte i gatshëm të pranonte një shitje në të ardhmen për rreth 250 milionë euro. Një shumë e tillë do t’i hapte rrugën operacionit për Haalandin, i cili prej kohësh ka qenë ëndërr e presidentit Florentino Perez.
Rekordi i golave të sulmuesit norvegjez e bën atë një objektiv tepër joshës për çdo klub. Pablo Montano ka theksuar se Haaland tashmë ka fituar dy Këpuca të Arta dhe është golashënuesi më i mirë i Ligës Premier edhe këtë sezon.
Sipas një analize të “Sky Sports”, nëse vazhdon me këtë ritëm, Haaland mund të arrijë 260 golat e legjendës Alan Shearer deri më 2030 dhe plot 389 gola deri në fund të kontratës së tij me Manchester Cityn në vitin 2034.
Montano ka kujtuar gjithashtu se pjesa më e madhe e këtij suksesi ka ardhur nga lidhja e fortë me Kevin De Bruyne, një partneritet që tani ka përfunduar pasi belgu është transferuar te Napoli. Megjithatë, Haaland nuk ka ndalur së shënuari, duke dëshmuar se është një makinë golash më vete.
Megjithatë, sipas Pacojo, asgjë nuk është e pamundur. Ai përmendi shembullin e Julian Alvarez, duke thënë se me Guardiolën nuk ka kurrë pengesa për largime. “Nëse Haaland kërkon të largohet, mund të ndodhë një rast i ngjashëm me Julianin. Ai është i lumtur në Manchester, por me Real Madridin nuk i dihet kurrë”, ka shtuar ai.
“Madridi ka një plan B që është bomba: Haaland,” përfundoi Pacojo. /Telegrafi/


