Please enter at least 3 characters.

Real Madridi dëshiron të largojë dy yje para mbylljes së afatit kalimtar veror

Klubi i madh spanjoll, Real Madridi po punon për të sistemuar skuadrën para mbylljes së afatit kalimtar veror, ndërsa në listën e lojtarëve që mund të largohen janë Ferland Mendy dhe Raul Asencio.

Sipas raportimit të gazetës AS, drejtuesit madrilen duan të gjejnë zgjidhje për të dy mbrojtësit para fundit të afatit kalimtar, me situatën e Mendyt që lidhet veçanërisht me historikun e tij të dëmtimeve.

Mbrojtësi francez ka pasur probleme të shpeshta fizike gjatë periudhës së tij në Madrid dhe kjo ka ndikuar në planet e klubit për të ardhmen e tij.

Në të njëjtën kohë, edhe Raul Asencio konsiderohet i disponueshëm për transferim. Pavarësisht se mbrojtësi spanjoll ka treguar potencial, Real Madridi është i gatshëm të shqyrtojë ofertat për të.

Megjithatë, deri tani “Los Blancos” kanë hasur vështirësi për të gjetur blerës për të dy lojtarët. Klubi madrilen duhet të përshpejtojë kërkimet nëse dëshiron t'i largojë para mbylljes së afatit kalimtar veror.

Me afatin kalimtar që po shkon drejt fundit, mbetet për t'u parë nëse Mendy dhe Asencio do të vazhdojnë sezonin në Santiago Bernabéu apo do të gjejnë destinacion të ri.

Largimet e mundshme të tyre do të shtonin buxhetin te Los Blancos për një blerje të fundit këtë verë. /Telegrafi/