Please enter at least 3 characters.

Reagon Sindikata e Punëtorëve të Administratës Tatimore të Kosovës pas deklaratës së ministrit Murati

2023/12/Administrata-tatimore-e-kosoves-ATK-8-shtator-foto-Ridvan-Slivova-4-1200x630-1.jpg

Pas njoftimit të fundit të Ministrit të Financave, Hekuran Murati, lidhur me përmbylljen e rritjes së pagave për shërbyesit publikë me një shumë prej 110 euro, Sindikata e Punëtorëve të Administratës Tatimore të Kosovës ka reaguar ndaj, siç i quan ajo, “të pavërtetave” të publikuara nga ministri.

Sipas reagimit për media thuhet se ministri ka harruar zyrtarët e tij vartës në të gjitha fazat e këtij procesi.

Pra zyrtarët e Administratës Tatimore të Kosovës të cilët pikërisht ata e mbushin arkën e shtetit, pjesës dërmuese nuk ju është rritur paga as edhe një euro të vetme në mandatin e tyre.

Tutje në reagim thuhet se deklarimet nga qeveritaret se të gjithë shërbyesve publikë u është rritur paga, madje disa herë, nuk është e vërtetë dhe as e saktë.

“Për hirë të informimit të drejtë të publikut, nga kjo rritje përfitojnë vetëm një pjesë e shërbyesve publikë, po ashtu edhe në ATK vetëm një pjesë përfton rritje, prandaj deklarimet e tilla duhet të jenë të vërteta dhe të sakta sepse jo të gjithë përfitojnë rritje të pagave siç thuhet. Që nga hyrja në fuqi e ligjit të ATK-së, Ministri Murati personalisht ka premtuar që do e nënshkruaj rregulloren për sistematizimin e vendeve të punës, por që fatkeqësisht nga muaji Shkurt i vitit 2024 ajo rregullore është pluhurosur në sirtarët e Ministrit”, thuhet në reagim.

Me mosmiratimin e kësaj rregulloreje, siç bëhet e ditur në reagim nuk vlerësohet angazhimit i stafit të ATK-së, përkundër vëllimit të madh të punës, që si rrjedhojë po ndodhin edhe dorëheqje të shumta të stafit të kualifikuar (mbi 850 sa ishin, sot janë nën 700 zyrtarë, përfshirë dhe pensionimet), ky neglizhim i stafit të ATK-së nga ana e ministrit pa asnjë arsye dhe pa kurrfarë kuptimi, ka shfaqur një zhgënjim për punëtoret e ATK-së.

“Ne jemi të gatshëm për të gjitha mediat, që janë të interesuar për vërtetësinë e këtyre fakteve, mund  të japim dëshminë e pagave tona para dhe pas ‘deklarimeve qeveritare për rritjen e pagave’, dhe të dëshmohet se nuk ka rritje siç pretendohet”, thuhet ndër të tjera në reagim. /Telegrafi/