Please enter at least 3 characters.

Rasti agjentit të BIA-s, Aleksandar Vllajiq, Burim Ramadani: I lumtë Prokurorisë dhe institucioneve të sigurisë

Aleksandar Vlajiq e ka pranuar fajësinë për veprën penale “spiunazh” dhe “armëmbajtje pa leje”. Në seancën e së enjtes u tha se Vlajiq, agjent i BIA-s serbe, ka lidhur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë Speciale.

E këto zhvillime i ka mirëpritur njohësi i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani, transmeton Telegrafi.

Në reagimin e tij, Ramadani ka përgëzuar Prokurorinë Speciale për rastin e agjentit të BIA-s, Aleksander Vllajiq.

"I lumtë Prokurorisë Speciale dhe institucioneve të sigurisë për rastin e agjentit të BIA-s, Aleksander Vllajiq! Kjo tregon që sinkronizimi i punës mes institucioneve gjithnjë jep rezultate. Siguria Kombëtare është detyrë, obligim, nder! Sipas aktakuzës së ngritur më 22 maj 2025, Vllajiq ka vepruar si bashkëpunëtor i BIA-s, duke mbledhur informacione që rrezikonin rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës", ka shkruar ai në Facebook.

Ndryshe, Aleksander Vllajiq e ka pranuar fajësinë për veprën penale të spiunazhit dhe atë të armëmbajtjes pa leje, në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, përmes një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë të lidhur me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Prokuroria ka propozuar që për veprën penale të spiunazhit, Vllajiq të dënohet me burgim efektiv nga 4 vjet e 6 muaj deri në 5 vjet, duke përfshirë edhe kohën e kaluar në paraburgim. Ndërsa për veprën e armëmbajtjes pa leje, është propozuar dënim me 6 muaj burg, me mundësi zëvendësimi me gjobë në shumë prej 1,000 euro. /Telegrafi/