Please enter at least 3 characters.

Raporti i D4D-së: Gratë në politikë përballë gjuhës së urrejtjes dhe barrierave strukturore

Demokracia për Zhvillim dhe Qendra për Barazi dhe Drejtësi kanë lansuar punimin “Analizë e rezultateve të zgjedhjeve lokale dhe nacionale 2025 nga perspektiva gjinore”, ku u diskutuan sfidat e përfaqësimit të grave në politikë dhe barrierat me të cilat ato vazhdojnë të përballen.

Në konferencën e organizuar me mbështetjen e Ambasadës së Holandës në Kosovë, u prezantuan gjetjet kryesore të raportit dhe nevoja për më shumë mbështetje për gratë në proceset vendimmarrëse.


Zëvendësshefi i Misionit në Ambasadën e Holandës në Kosovë, Ronald Goldberg, tha se pjesëmarrja e grave në politikë vazhdon të përballet me barriera strukturore.

“Përderisa gratë po marrin pjesë aktivisht dhe në mënyrë konkurruese në proceset politike, barrierat strukturore ende pengojnë përfaqësimin e tyre të plotë dhe të barabartë në institucionet vendimmarrëse. Kuotat ligjore nuk mund të jenë destinacioni përfundimtar; ato janë pika hyrëse, jo pika përfundimtare e barazisë”, ka deklaruar Goldberg.

Ai shtoi se raportet e tilla ndihmojnë institucionet dhe politikëbërësit në identifikimin e sfidave ekzistuese.

“Raporte të tilla u ofrojnë politikëbërësve, partive politike, institucioneve zgjedhore dhe organizatave të shoqërisë civile të dhënat e nevojshme për të identifikuar boshllëqet dhe për të ndërmarrur masat e nevojshme”, tha ai.

Në panelin me temën “Nga kuota në përfaqësim të vërtetë: Fuqizimi i Grave në Politikë”, morën pjesë Arbëreshë Kryeziu-Hyseni nga LVV, Eliza Hoxha nga PDK, Sibel Halimi nga LDK dhe Time Kadrijaj nga AAK, ndërsa paneli u moderua nga Muhamet Hajrullahu.

Gjatë diskutimit u trajtuan temat e gjuhës së urrejtjes ndaj grave në politikë, rëndësia e përfshirjes së grave në vendimmarrje dhe nevoja për më shumë demokraci të brendshme në partitë politike.

Sipas organizatorëve, raporti synon të analizojë përfshirjen dhe përfaqësimin e grave në zgjedhjet lokale dhe parlamentare të vitit 2025, duke shqyrtuar të gjitha fazat e procesit zgjedhor – nga nominimi dhe mbështetja elektorale deri te rezultatet përfundimtare. /Telegrafi/