Raphinha barazon rekordin e famshëm të Lionel Messit te Barcelona
Raphinha ka bërë histori në LaLiga me fillimin spektakolar të sezonit 2026/27, duke u bërë vetëm lojtari i dytë në këtë shekull që shënon gjashtë gola në katër ndeshjet e para të kampionatit.
Sulmuesi i Barcelonës e arriti këtë shifër në fitoren e thellë 5-0 ndaj Valencias të dielën, duke shënuar sërish pas dy dopietave ndaj Elches dhe Rayo Vallecanos, si dhe golit të realizuar ndaj Athletic Bilbaos.
Para Raphinhas, vetëm një futbollist kishte arritur një statistikë të tillë në shekullin 21 – Lionel Messi.
Legjenda e Barcelonës e kishte bërë këtë dy herë, duke shënuar nga gjashtë gola në katër ndeshjet e para të LaLiga-s në sezonet 2012/13 dhe 2013/14.
Tani Raphinha i është bashkuar Messit në këtë grup ekskluziv, pasi ka gjetur rrjetën në secilën prej katër paraqitjeve të tij në kampionat këtë sezon.
Gjashtë golat e tij e kanë vendosur gjithashtu në krye të listës së golashënuesve të LaLiga-s. Sergio Camello e kishte nisur sezonin me pesë gola për Rayo Vallecanon, ndërsa edhe Kylian Mbappe ndodhet pas brazilianit në garën e hershme për trofeun Pichichi.
Ajo që e bën edhe më të veçantë startin e Raphinhas është fakti se këto shifra po i regjistron në një pozicion të ri.
Pas transferimit te Barcelona në vitin 2022 si anësor i djathtë dhe periudhave të kaluara në krahun e majtë, braziliani tani po aktivizohet si sulmues qendror nga trajneri Hansi Flick.
Dhe deri më tani, ndryshimi i pozicionit ka rezultuar i jashtëzakonshëm, me Raphinhan që po udhëheq garën për golashënuesin më të mirë të LaLiga-s dhe njëkohësisht barazoi një rekord të vendosur nga Lionel Messi./Telegrafi/


