Please enter at least 3 characters.

Rama: Banka e Shqipërisë, institucioni që përmbush të gjitha standardet

Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar Bankën e Shqipërisë si “institucionin e vetëm që mund të quhet me plot gojën i tillë në vend”.

Gjatë fjalës së tij në konferencën për 100-vjetorin e Bankës së Shqipërisë këtë të martë, Rama theksoi se ky institucion përmbush të gjitha standardet dhe kriteret që duhen për një institucion të konsoliduar.

“Banka e Shqipërisë është modeli që tregon se si duhet të funksionojnë institucionet e pavarura”, tha Rama, duke shtuar se historia e zhvillimit të saj duhet të shërbejë si shembull për institucionet e tjera në formim.

Në fjalën e tij, kreu i qeverisë citoi ekonomistin britanik John Keynes, duke theksuar rolin e bankës qendrore për të garantuar stabilitet në afat të shkurtër, brenda një vizioni afatgjatë.

“BSH është në mos i vetmi, ndër shumë të paktit institucione të republikës sonë që mund të quhet i tillë me plot gojën, në kuptimin dhe me standardet që kemi parasysh kur flasim për institucionet që i duhen një vendi modern dhe pjesë e familjes evropiane”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se do të ishte e vlefshme që historia e zhvillimit të Bankës së Shqipërisë të dokumentohej si model për ndërtimin e institucioneve të pavarura dhe të qëndrueshme. /euronewsalbania/