Rafuna: Kosova s’ka pasur imazh të mirë në sytë e ndërkombëtarëve – vendi po vuan për investime të huaja
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, në “Përballje Podcast” ka thënë se Kosova nuk ka pasur një imazh të mirë në sytë e bashkësisë ndërkombëtare gjatë viteve të fundit, gjë që ka ndikuar drejtpërdrejt në mungesën e investimeve të huaja.
Ky podcast përkrahet nga EXFIS.
“Nuk ka qenë një imazh i mirë i Kosovës, ta thom drejt, në sytë e ndërkombëtarëve. Ka pasur shumë pakënaqësi, sidomos për faktin që jemi ende nën sanksione të Bashkimit Evropian dhe pas pezullimit të dialogut strategjik,” deklaroi Rafuna shkruan Telegrafi.
Ai tha se këto zhvillime kanë krijuar pasiguri te investitorët e mëdhenj, të cilët e shohin Kosovën si mjedis jo të qëndrueshëm për kapital afatgjatë.
“Të gjitha këto ndikojnë te investitorët e mëdhenj, te bizneset e mëdha. Nëntëdhjetë e nëntë për qind e tyre, para se të vendosin të investojnë në Kosovë, takohen me qeveritarët e vet dhe pyesin për imazhin që qeveria e atij vendi ka për Kosovën.”
Sipas Rafunës, komunikimi publik i zyrtarëve shtetërorë ka ndikuar negativisht në perceptimin e sigurisë në vend.
“Kemi dëgjuar shpesh deklarata në media që ‘po sulmohemi nga Serbia’, ‘ushtria serbe është afër kufirit’ – ndërkohë që ne nuk e kemi shitë imazhin që Kosova është një vend i sigurt, i mbrojtur nga trupat e NATO-s, ku çdo investitor është i mirëpritur.”
Ai shtoi se problemet e brendshme politike, vonesat në formimin e institucioneve dhe ndryshimet e shpeshta qeveritare e përkeqësojnë situatën:
“Nëse çdo vit ndryshohet qeveria, investitori nuk ndihet i sigurt me investu. Çdo vit i ndryshohet politika fiskale apo legjislacioni – dhe kjo e ç’rregullon biznesin. Biznesi serioz nuk hyn në një ambient të tillë, pret, dhe Kosova vuan për investime të huaja.”
Rafuna theksoi se në tri vitet e fundit asnjë brend i madh evropian nuk ka ardhur të investojë në Kosovë, çka tregon për boshllëk të qartë në politikën e diplomacisë ekonomike.
“Unë si kryetar i Odës s’e kam parë asnjë brend evropian që ka ardhur të investojë në Kosovë këto tri vite. Dhe kjo është shqetësuese.”
Në fund, ai apeloi që qeveria të fokusohet në krijimin e stabilitetit politik dhe juridik, si parakusht për tërheqjen e kapitalit të huaj dhe përmirësimin e imazhit të vendit jashtë.


