Please enter at least 3 characters.

Qytetarët e Dragashit ankohen për mbeturinat: Çmimi u rrit, shërbimi mungon

Qytetarët e Dragashit kanë ngritur shqetësime për grumbullimin e mbeturinave, duke kritikuar rritjen e tarifës për këtë shërbim dhe, sipas tyre, mungesën e përmirësimit të cilësisë së tij.

Përmes një ankese të bërë publike, qytetarët kanë thënë se rritja e çmimit është bërë rreth një muaj më parë, ndërsa shërbimi, sipas tyre, vazhdon të ketë probleme.

“Çmimi u rrit, shërbimi mungon!”, thuhet në ankesën e qytetarëve, raporton Telegrafi.

Sipas tyre, aktualisht ka raste kur mbeturinat nuk grumbullohen në kohë, duke krijuar shqetësime për qytetarët dhe ambientin.

“Para vetëm një muaji, ekzekutivi komunal e rriti çmimin për mbledhjen e mbeturinave. Sot, qytetarët përballen me mbeturina të pa grumbulluara dhe një shërbim që nuk po kryhet siç duhet”, thuhet më tej në reagim.

Qytetarët kërkojnë që rritja e tarifës të shoqërohet me përmirësim të shërbimit të ofruar.

“Kur rritet çmimi, duhet të rritet edhe cilësia e shërbimit – jo vetëm barra mbi qytetarin”, kanë deklaruar ata.

Deri në publikimin e këtij raportimi, nuk është dhënë një qëndrim nga Komuna e Dragashit lidhur me ankesat e qytetarëve. /Telegrafi/