Please enter at least 3 characters.

Qoku: Në raport me fuqinë politike që kemi, në Qeveri e bëjmë maksimumin

Koordinatori i grupit parlamentar dhe deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku është i ftuari i radhës në emisionin PodGo në Telegrafi Maqedoni, me të cilin kemi diskutuar për VLEN-in në Qeveri, ndryshimet kushtetuese, si dhe fuqinë e OBRM-PDUKM-së.

Qoku tha se është në Qeveri si përfaqësues i 107 mijë votave, duke shtuar se shqiptarët duhet të jenë pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Ai tha se VLEN-i bënë maksimumin në Qeveri, në raport me fuqinë e numrave dhe fuqinë politike që e kanë.



"Në qeveri mundohemi të bëjmë maksimumin në raport me fuqinë dhe numrat që kemi dhe fuqinë politike që kemi. Ne mund të lavdërohemi që kemi pasur arritje të jashtëzakonshme sa i përket investimeve konkrete, kryesisht në zonat e banuara me shqiptarë. Është e natyrshme që ne të krahasohemi me qeverinë e mëparshme, pasi kanë qenë 22 vite në pushtet. Mandatin tjetër do të bëjmë krahasim me veten".

"Në demokraci janë numrat e deputetëve, në demokraci parlamentare deputeti është baza e legjitimitetit dhe përfaqësimit. Aktualisht OBRM-PDUKM i ka 59 deputetë. Fuqinë parlamentare që e ka sot OBRM-PDUKM nuk e ka pasur asnjëherë. Kjo OBRM-PDUKM e fuqishme është si pasojë edhe e sjelljes së dëmshme të partisë shqiptare që ka qenë në pushtet. Proporcionalisht me deputetët që kemi dhe pushtetin që kemi, nuk ka parti politike shqiptare që ka pasur këtë performancë që ka VLEN-i. Ta masim pushtetin me realizimin e punëve", tha Qoku.

I pyetur nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ai tha se të gjithë deputetët janë të mendimit se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme.

"Nga bisedimet që kemi me deputetët, janë vetëm hamendësime dhe mbahet gjallë si çështje, por të gjithë janë të mendimit se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme. Ne aktualisht kemi 10 komuna që e konfirmon fuqinë politike dhe shtrirjen elektorale të VLEN-it. Në 2025 në njësinë zgjedhore 5 kanë qenë pesë komuna shqiptare të drejtuara nga BDI, ndërsa sot vetëm Pllasnica drejtohet nga BDI-ja", tha Qoku.

Ndërsa sa i përket çështjes kur së bashku me dy zyrtarë tjerë të VLEN-it, u ndaluan të futen në Shqipëri, Qoku tha se bëhet fjalë për gabim.

"Është e paqartë pasi unë e kalova kufirin dy herë pas atij ndalimi, por duhet të ketë diçka që nuk shkon. Duhet të jem në ndonjë "stop list" dhe kur e kanë parë që kam bërë shumë zhurmë, e panë se kanë bërë gabim. Fajin e shoh te ngutja e qeverisë së Shqipërisë për të linçuar një grup politik siç është VLEN-i", tha Qoku, duke akuzuar Qeverinë e Edi Ramës për bashkëpunim me BDI-në.

Ndërsa në lidhje me ndryshimet kushtetuese, Qoku u shpreh i bindur se ato do të ndodhin dhe se vendi do të bëhet pjesë e BE-së.
"Maqedonasit kanë një arsye pse e pengojnë çështjen e eurointegrimeve, pra identiteti, historia, gjuha kultura. Ne meritojmë të jemi pjesë e BE-së, sidomos ne shqiptarët ku shumica jemi deklaruar pro integrimit në BE. Shpresoj që do të tejkalohet kjo situatë dhe jam i bindur që shumë shpejt do të jemi pjesë e BE-së. Ndryshimet kushtetuese do të ndodhin, pasi është kusht dhe është e vështirë të refuzohet pasi vjen nga një shtet i fuqishëm siç është Bullgaria. Edhe OBRM-PDUKM-ja është pro ndryshimeve kushtetuese, por kërkojnë garancë", tha Qoku./Telegrafi/