QKMF në Prizren shënon Ditën Ndërkombëtare të Mjekut Familjar me aktivitet informues
Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Dr. Nexhip Berisha” në Prizren, të hënën, në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Mjekut Familjar, ka organizuar një aktivitet informues që ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin e publikut për rolin që ka mjeku familjar në sistemin shëndetësor.
Në njoftimin e këtij institucioni shëndetësor është theksuar se mjeku familjar është “pika e parë dhe më e rëndësishme e kontaktit për kujdesin shëndetësor të secilit individ dhe familjeje”, raporton Telegrafi.
Me këtë rast drejtori i QKMF-së, Dr. Fadil Bajraktari ka bërë thirrje “që të gjithë qytetarët, të cilët ende nuk e kanë përzgjedhur mjekun e tyre familjar, që ta bëjnë këtë sa më parë”.
“Përzgjedhja e mjekut familjar mundëson kujdes të vazhdueshëm, të personalizuar dhe më efikas për shëndetin tuaj”, thuhet në njoftimin e QKMF Prizren. /Telegrafi/


