Please enter at least 3 characters.

Qilimi që u shtrua për Trumpin në Riad - zbulohet historia pas zgjedhjes së ngjyrës nga Arabia Saudite

Arabia Saudite shtroi qilimin e saj të famshëm ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump mbërriti në Riad të martën në mëngjes për të nisur një vizitë katër-ditore në rajonin e Gjirit.

Princi i Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman përshëndeti presidentin e SHBA-së në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit që kur mori detyrën - përveç një vizite në Romë për funeralin e Papa Françeskut.

Dhe qilimi mbresëlënës ngre pyetje se si livandoja u bë zgjedhja simbolike e Mbretërisë për ngjarjet ceremoniale dhe çfarë përfaqëson ajo.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Arabia Saudite në vitin 2021 njoftoi se zgjodhi livandon si ngjyrën e re për qilimat ceremonialë të përdorur në pritjet dhe rastet zyrtare shtetërore.

"Qilimat livando janë identikë me ngjyrën e shkretëtirave dhe pllajave të Mbretërisë në pranverë kur ato dekorohen me ngjyrën e luleve të livandos dhe bimëve të tjera, të cilat së bashku formojnë një vjollcë natyrale", sipas Agjencisë Saudite të Shtypit (SPA).

Qilimat ceremonialë me ngjyrë livando përfshijnë gjithashtu një element të spikatur kulturor saudit.

“Punimet Sadu” janë një zeje tradicionale beduine që përfshin “punimin me dorë” të modeleve të ndryshme në tekstile.

Ajo është thellësisht e rrënjosur në kulturën nomade të beduinëve të Gadishullit Arabik dhe është praktikuar prej shekujsh, veçanërisht nga gratë.

Në dhjetor 2020, UNESCO e përfshiu këtë zeje tradicionale të Arabisë Saudite dhe Kuvajtit në listën e Trashëgimisë.

Iniciativa për të ndryshuar qilimat ceremonialë të Mbretërisë, një bashkëpunim midis Ministrisë së Kulturës së Mbretërisë dhe Protokollit Mbretëror të Arabisë Saudite, është "një zgjatim i shumë iniciativave kombëtare që festojnë elementët kulturorë sauditë dhe nxjerrin në pah identitetin kombëtar", sipas SPA-së. /Telegrafi/