Qeli: Pa hapësirë reale në mediat publike, komunitetet mbesin të painformuara
Gjendja financiare, mungesa e stafit dhe e fondeve për ngritjen e kapaciteteve të mediave të komuniteteve në Kosovë paraqesin pengesa serioze për zhvillimin profesional dhe funksionimin normal të tyre.
Kështu ka deklaruar Lendrit Qeli, Drejtor Ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Prosperiteti” në Gjakovë, në “Përballje Podcast”, duke ngritur shqetësime për kapacitetet e kufizuara të redaksive të komuniteteve edhe në transmetuesin publik.
Sipas tij, mungesa e hapësirës së mjaftueshme për komunitetet joshumicë në mediat publike po ndikon drejtpërdrejt në informimin e qytetarëve dhe në trajtimin e problemeve reale me të cilat ata përballen çdo ditë.
“Redaksitë e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian kanë shumë pak minutazh dhe kapacitete shumë të kufizuara për t’i trajtuar problemet reale të komuniteteve”, tha Qeli, shkruan Telegrafi.
Ai theksoi se në disa raste redaksitë funksionojnë vetëm me dy persona, gjë që e bën të pamundur mbulimin e ngjarjeve në gjithë territorin e Kosovës.
“Me dy persona nuk mundesh me qenë njëkohësisht gazetar, kameraman, montazher dhe me mbulu gjithë territorin,” u shpreh ai.
Sipas Qelit, kjo situatë krijon pabarazi të dukshme mes komuniteteve dhe cenon të drejtën kushtetuese për informim.
“Nuk është e drejtë që një komunitet të ketë kanal të dedikuar, ndërsa komunitetet e tjera vetëm 15 minuta në javë,” përfundoi ai. /Telegrafi/.


