Pse zgjedhjet do të jenë fer(r)?
Ka kohe që nuk i lexoj komunikatat e këshillave drejtuese të partive politikë në Kosovë, për arsye se sa herë qe i lexoj frustrohem se si disa nga drejtuesit e këtyre partive edhe kur shkruajnë komunikata shtypi, i shkruajnë keq dhe pothuajse vazhdimisht nuk mund të dallojnë ndryshimin drejtshkrimor dhe as vendin e drejtë e të përdorurit të shkronjave: “q”; “ç”; “gj” dhe “xh”. Pastaj kur dërgojnë deklarata nga posta elektronike, nuk japin vend adresë ose se ku mund të pyesin apo të marrim përgjigje qytetarët e Kosovës. Për më tepër, ata duhen të gjejnë djalin e hallës, tezes, apo vajzën e kushëririt të filan fistekut që është në pozitë partiake (jo domosdoshmërisht punë) e tek atëherë ndoshta, ndoshta mund të marrin përgjigje për ndonjë çështje apo aktivitet që mund ketë interesim apo angazhim në të ardhmen.
Në këtë “krizë institucionale”, që ishte e pashmangshme të mos ndodh pas shumë krizave të tjera shoqërore e ekonomike që na kanë kapluar si shtet, pas tërheqjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës nga koalicioni qeveritar, secila nga partitë tona lidere në vend po mundohen të gjuajnë fajin tek njëra- tjetra sikurse të ishte ndonjë loje fëmijërore, e jo përgjegjësia për ardhmërinë e më shumë se 2 milion qytetarëve që jetojnë në Kosovë. Fatkeqësisht, shembulli më i fundit ishin akuzat për bllokim dhe njohje për Kosovën drejtuar ish-ministrit Hyseni.
Në mes të gjithë kësaj “krize” vijnë deklarata se Partia që po na udhëheqë vendin, “në këtë proces zgjedhor hyn e përgatitur, me program dhe vizion të qartë për të vazhduar implementimin e projekteve të filluara për forcimin dhe konsolidimin e shtetit”. Mirëpo, për çfarë plani, çfarë programi, çfarë vizioni të qartë, ende nuk po dihet e as nuk po flitet konkretisht. Por një gjë, të paktën demonstrohet se vetëm në prag të zgjedhjeve, (veç në Kosovë) duhet bërë plan-programe e duhet pasur vizion për zhvillim të shtetit. Sa ironike! Tutje, thuhet se ajo “do të japë të gjithë kontributin e vet për të siguruar zgjedhje të lira, fer(r) dhe demokratike, në pajtim me standardet më të larta ndërkombëtare”. Tani, ironia kalon në zhgënjim!
Si do të jenë “zgjedhjet e lira, fer(r), e demokratike” kur as parametrat minimal për një shtet demokratik nuk janë të zhvilluara deri tani, e as që po punohet në atë drejtim përpos kur lidhet interesi personal në emër të çështjes kombëtare!
Pikë së pari duke filluar prej të drejtave elementare të shtetasit të Kosovës, lirisë së shtypit, e deri tek çështjet e punësimit selektiv. Më mirë të them duke filluar prej kërcënimeve të gazetareve e kompanive mediale, (bile edhe nga partnerët ndërkombëtar), e punësimit partiak në pothuajse çdo pozitë pune në administratë të Kosovës, e regjistrimit të studentëve që janë anëtarë të partive politike në Universitetin e Prishtinës. Këto plane partiake sigurisht që do të kenë mundësinë të sigurojnë mundësinë për zgjedhje fer(r)... Po! Po! Por, duket se ato do të vazhdojnë të jenë fer në kuptim të njëjtë sikurse ai i fjalës “ferr”, të dënimit dhe vuajtjes për padrejtësinë që bëhet në kurriz të dikujt tjetër, në këtë rast të popullit të Kosovës. Fatkeqësisht, kjo do të reflektojë dhe ndikojë esencialisht edhe më tutje mbi qytetarët e Kosovës. Veç po e dimë se na kanë përfshirë edhe shumë kriza tjera të panumërta si kriza sociale, ekonomike, politike, e tani momentalisht jemi edhe në “krize institucionale”. Por a thua çfarë krize tjetër po na pret si shtet sipas planeve të partive e klaneve udhëheqëse? Përderisa gjithnjë po limitohen edhe mundësitë potenciale të shumë shqiptarëve, u zihet fryma e minimizohet mundësia për realizim, përpos rrugës përmes politizimit të tyre.
Si nuk po kuptohet ky tmerr i vet–qeveri-krijuar, kur në këto ditë ka ende qytetarë të Kosovës që po imigrojnë me shtetësi serbe në shtetet e BE-së, se besa të merr 3-4 muaj kohë për aplikim për një vizë turistike (me përgjigje refuzuese!) nga ambasadat evropiane, e kur shumë të rinj të tyre potencialin e tyre intelektual e “përdorin” për ambalazhe estetike nëpër lokale të natës, në vend të avancimit dhe perspektives për progres në shtetin tonë. Me që ra fjala, duhet kuptuar se nuk mjafton një reklamë një minutëshe, The Young Europeans, që transmetohet nëpër media, të ndërroje fundamentalisht aktualitetin në Kosovë, e të krijojë ambientin zhvillimor për ide, kreativitet, mundësi, avancim për popull.
Në bazë të kësaj, duket se edhe në zgjedhjet e parakohshme në 2011 do të na mbeten “në ajër” për realizimin e retorikave që thuhen non-stop nga ana e liderëve të institucioneve shtetërore për një shtet “demokratik e sovran” e që respekton ligjin. Gjithashtu, edhe ato zgjedhje të parakohshme apo të jashtëzakonshme do të jenë fer(r), e liderët që do të vijnë të do të vazhdojnë të (mos) udhëheqin për të mirën e shoqërisë kosovare e të (mos) kontribuojnë për zhvillimin e demokracisë në Kosovë. E gjithë kjo po bazohet fundamentalisht në limitet që po i krijojnë në “krizë institucionale” për pikë të qejfit.
(Autorja është studente në vitin e tretë në fakultetin e Studimeve Ndërkombëtare dhe fakultetin e Shkencave Politike me Administrim Publik, në Texas Lutheran University, SHBA)


