Pse ende s’u kompletua kalimi i Drilon Hazrollajt te Tirana?
Tirana e ka mbyllur marrëveshjen me Rapid Bukureshti për sulmuesin Drilon Hazrollaj, megjithatë lojtari ende nuk ka dhënë “dritën e gjelbër” pasi në tavolinë ka disa opsione, kështu ka njoftuar menaxheri Kastriot Telaku për Telegrafin.
Që disa javë u raportua vazhdimisht se Tirana ishte i interesuar për ta huazuar Hazrollajn nga Rapidi, kurse “ProSport” të martën njoftoi se problemi kryesor është paga e lojtarit, duke pretenduar se talenti i Kosovës po kërkon rreth 9 mijë euro në muaj, vlerë që klubi shqiptar nuk është në gjendje të paguajë.
Megjithatë, menaxheri i lojtarit, Telaku për Telegrafin ka bërë të qartë se lojtari ende nuk ka vendosur për lëvizjen e radhës.
“Jo, marrëveshja ende nuk ka dështuar. Jemi në negociata. Klubet faktikisht janë pajtuar, por ne kemi edhe disa alternativa tjera që po i shohim”, konfirmoi ai.
Hazrollaj ka qenë i pafat që prej kalimit në ligën e futbollit rumun ngase ka pasur lëndime të njëpasnjëshme, gjë që ia pamundësuan të zhvillojë shumë minuta.
Megjithatë, anësori i ka lënë prapa tërë këto lëndime dhe tani është gati për ta dëshmuar kualitetin, qoftë në fanellën e Rapidit apo ndonjë tjetër.
22-vjeçari ishte në stol në ndeshjen e parë të Rapidit në Ligën e Rumanisë kundër Sepsi (1-0)./Telegrafi/


