Please enter at least 3 characters.

Pse disa njerëz bëhen arrogantë sapo pasurohen? Shkenca ka një shpjegim befasues

Më shumë para, më pak kufizime dhe një ndjenjë gjithnjë e më e fortë epërsie – ja çfarë ndodh kur njeriu kupton se mund të sillet pa pasoja.

Dikur ishte i sjellshëm, dinte t’i dëgjonte të tjerët dhe nuk priste trajtim të veçantë. Pastaj fitoi para, pozitë ose ndikim dhe dukej sikur u bë njeri tjetër: nisi t’i ndërpriste bashkëbiseduesit, t’i nënçmonte njerëzit dhe të sillej sikur rregullat nuk vlenin më për të.

A mund ta ndryshojë vërtet paraja kaq shumë një njeri, apo vetëm i jep mundësinë të tregojë atë që ka fshehur gjithmonë?

Psikologjia ofron një përgjigje më të ndërlikuar sesa thënia se paraja “i prish” njerëzit. Ajo nuk krijon domosdoshmërisht një personalitet të ri, por mund ta ndryshojë pozitën e njeriut, marrëdhëniet e tij dhe kufijtë që më parë e përmbanin sjelljen. Disa njerëz i ndryshon pushteti i fituar, ndërsa te të tjerët vetëm i bën më të dukshme tiparet që kanë ekzistuar edhe më parë.

Nuk është vetëm paraja, por pushteti që ajo sjell

Kur dikush fiton më shumë para, zakonisht fiton edhe më shumë pavarësi. Nuk ka më nevojë të kërkojë ndihmë, të presë vendimet e të tjerëve, të përshtatet vazhdimisht ose të shqetësohet se dikush mund t’ia mohojë një mundësi.

Pikërisht këtu mund të nisë ndryshimi. Personi që varet më pak nga të tjerët ndonjëherë fillon t’u kushtojë më pak vëmendje nevojave, ndjenjave dhe mendimeve të tyre.

Studimet mbi pushtetin kanë treguar se ndjenja e epërsisë mund ta zvogëlojë gatishmërinë për ta parë një situatë nga këndvështrimi i tjetrit. Personat që ndihen më të fuqishëm priren të përqendrohen më shumë te pikëpamja e tyre dhe t’i dallojnë më pak saktë emocionet e të tjerëve.

Kjo nuk do të thotë se çdo njeri me pushtet e humb ndjeshmërinë, por rrethana të caktuara mund ta bëjnë më të përqendruar te vetja.

Kur suksesi shndërrohet në ndjenjë epërsie

Paraja mund ta ndryshojë edhe mënyrën se si njeriu e shpjegon suksesin e vet. Nëse beson se gjithçka e ka arritur vetëm falë inteligjencës, punës dhe aftësive të tij, duke shpërfillur fatin, rrethanat, mbështetjen familjare dhe ndihmën e të tjerëve, mund të zhvillojë bindjen se është më i vlefshëm se njerëzit përreth.

Nga këtu lind lehtë mendimi: “Nëse jam më i suksesshëm, atëherë vlej më shumë.”

Një person i tillë mund të presë të shërbehet i pari, të mos kundërshtohet, t’i falen gabimet dhe rregullat të përshtaten sipas nevojave të tij.

Këtu qëndron edhe dallimi mes vetëbesimit dhe arrogancës. Vetëbesimi i shëndetshëm do të thotë ta njohësh vlerën tënde. Arroganca fillon kur mendon se, për këtë arsye, të tjerët vlejnë më pak, transmeton Telegrafi.

Kur zhduken pasojat, sjellja mund të ndryshojë

Ndoshta dikush sillej mirë sepse ishte vërtet i kujdesshëm ndaj njerëzve. Por është e mundur edhe të ketë qenë i sjellshëm nga frika e pasojave. Varej nga punëdhënësi, kolegët, klientët, miqtë ose familjarët dhe duhej të bënte kompromise.

Me më shumë para, disa nga këto pengesa zhduken. Personi mund të paguajë të tjerët, të ndërrojë bashkëpunëtorët, ta ndërpresë një marrëdhënie sapo kundërshtohet ose t’i zbusë pasojat e vendimeve të këqija. Edhe njerëzit përreth fillojnë t’i kundërvihen më rrallë.

Kështu krijohet një rreth vicioz: rrethi i tij hesht përballë fyerjeve, qesh me shakatë e papërshtatshme dhe thotë vetëm atë që personi i fuqishëm dëshiron të dëgjojë. Pa reagim të sinqertë, ai nis të besojë se sjellja e tij është e pranueshme.

Çfarë kanë treguar studimet?

Një studim i njohur, i botuar në vitin 2012, analizoi sjelljen e njerëzve në situata reale dhe eksperimentale. Në vëzhgimet në komunikacion, drejtuesit e veturave më të shtrenjta ua merrnin më shpesh përparësinë automjeteve të tjera dhe ndalonin më rrallë për këmbësorët.

Në eksperimente të tjera, pozita më e lartë shoqërore u lidh me gatishmëri më të madhe për të gënjyer gjatë negociatave, për të mashtruar për një shpërblim ose për të mbështetur veprime joetike në vendin e punës.

Megjithatë, studiuesit vunë re edhe diçka tjetër: kur personat me pozitë më të ulët nxiteshin të mendonin për përfitimet e lakmisë, edhe gatishmëria e tyre për sjellje joetike rritej.

Kjo tregon se pandershmëria nuk është tipar vetëm i njerëzve të pasur. Një mjedis që madhëron përfitimin personal dhe suksesin me çdo kusht mund të ndikojë te kushdo.

Të pasurit nuk janë domosdoshmërisht më të këqij

Nuk duhet përfunduar se njerëzit e pasur janë patjetër më egoistë, më pak empatikë ose më të prirur për pandershmëri. Studimet zakonisht tregojnë dallime mesatare ndërmjet grupeve, jo karakterin e çdo individi.

Për më tepër, pozita shoqërore nuk përcaktohet vetëm nga paratë. Ajo përfshin arsimimin, profesionin, prejardhjen familjare, reputacionin dhe shkallën e ndikimit mbi të tjerët.

Prandaj, shkenca nuk e mbështet ndarjen e thjeshtë mes “të varfërve të mirë” dhe “të pasurve të këqij”. Një njeri i pasur mund të jetë bujar dhe i kujdesshëm, ndërsa dikush me pak para mund të jetë i vrazhdë dhe egoist.

A e ndryshon paraja karakterin apo e zbulon atë?

Përgjigjja më e drejtë është: mund t’i bëjë të dyja.

Te disa njerëz, pasuria e ndryshon gradualisht mënyrën e të menduarit. Pushteti më i madh, varësia më e vogël nga të tjerët dhe lajkat e vazhdueshme mund ta dobësojnë vëmendjen ndaj nevojave të njerëzve përreth.

Te të tjerët, paraja vetëm i heq kufizimet. Ata nuk kanë më nevojë ta fshehin dëshirën për dominim, admirim ose trajtim të veçantë.

Megjithatë, asnjëra nuk është e pashmangshme. Mënyra se si përdoret fuqia që sjell paraja varet nga vlerat, vetëkontrolli dhe gatishmëria për ta pranuar kritikën.

Prandaj, paraja nuk është vetëm provë e asaj që një njeri mund të bëhet. Shpesh është prova më e qartë e asaj që do të bëjë kur kupton se mundet. /Telegrafi/