Please enter at least 3 characters.

Protestojnë bujqit në Strumicë, kërkojnë çmime më të larta për blerje

Bujqit e Strumicës edhe sot protestuan dhe bllokuan qendrën e Strumicës, duke kërkuar çmime më të larta të blerjes për specin e kuq. Ata janë të revoltuar nga, siç thonë, qëndrimi injorues i Ministrisë së Bujqësisë dhe blerësve.

Aktualisht, klasi ekstra i destinuar për eksport blihet me 40 denarë për kilogram, ndërsa për përpunim çmimi është 25 denarë.
Bujqit thonë se me këto çmime nuk mund t’i mbulojnë shpenzimet e prodhimit.

Protestat filluan të enjten, ndërsa bujqit paralajmërojnë se do të vazhdojnë me bllokadat. Ata kërkojnë që institucionet të reagojnë urgjentisht dhe të sigurojnë çmime më të larta të blerjes. Sezoni i blerjes është vetëm në fillim, ndërsa bujqit frikësohen nga humbje edhe më të mëdha.

“Është për të ardhur keq dhe është e turpshme që në këto kushte të motit të luftosh. Toka digjet në atë diell, ndërsa ti mundohesh të prodhosh shumë mall, kurse ata duan të ta marrin pa para. Nuk mund të mbijetosh, e jo më të prodhosh ndonjë prodhim tjetër për vitin e ardhshëm”, tha një bujk./TV21/