Please enter at least 3 characters.

Protesta të vonuara

Ditëve të fundit ishim dëshmitarë të protestave të policisë dhe punonjësve shëndetësorë, megjithëse unë mendoj se këto protesta ishin të vonuara dhe pak të mangëta.

Them të vonuara dhe ndoshta edhe të mangëta pasi që është dashur më herët të ngritët zëri për padrejtësinë e treguar nga ana e Qeverisë ndaj tyre, sepse policët, punëtorwt shëndetësor, mësimdhënësit (në shkollat e mesme e fillore) dhe punëtorët administrativë ishin dhe mbeten të diskriminuar, sepse nuk ishin pjesë e ngritjes së pagave e cila u bë në fillim të fushatës zgjedhore për profesorët universitar.

Profesorët e UP sot marrin njëmijë (1.000) euro dhe asistentwt pesëqind (500) euro, ndërsa për të tjerët pagesa është prej dyqind (200) deri në treqind (300) euro, e këtu është puna e një diference të madhe parash, e një diference të panevojshme, do të shtoja.

Atë kohë, kur u bë kjo ngritje, isha nga ata që ngrita zërin për këtë diskriminim që i u bë të lartpërmendurve, në shkrimin “Gabimet e njëpasnjëshme”, por edhe ky shkrim, si shumë shkrime të kolegëve të mi, hasën në vesh të shurdhër, madje shkrimi im nuk u botua në shumë medie!

Sido qoftë, ne që folëm nuk jemi kundër ngritjeve të pagave që u bë për profesorët, s’kemi asgjë kundër profesorëve e as Qeverisë. Dhashtë Zoti e u bëftë paga me e vogël njëmijë (1.000) euro në vendin tonë. Por, reaguam kundër një padrejtësie ndaj të tjerëve, e cila thjesht ka mundur të jetë një nivelim pagash për të gjithë dhe tash (në shkurt 2010) të bëhej një rishikim dhe të shihej a ka mundësi buxheti i Kosovës të bëjë prapë ngritje, ama jo vetëm për një sektor.

Sido që të jetë, edhe profesorët këtë ngritje e morën në “shpinë” të fushatës zgjedhore komunale 2009, e këta të tjerët me gjasë do të presin zgjedhjet e ardhshme parlamentare (kurdo që të mbahen), sepse duket që pak kohë para fushatë së ardhshme zgjedhore, do ta kenë fatin që t’u ngritën pagat edhe të tjerëve, pse jo, edhe 100 për qind.

Sido që të bëhet, Qeveria e Kosovës duhet të mendoj më shumë për policinë, për arsimimin, shëndetësinë dhe gjyqësorin e të mos i ndaj asnjërin sepse këto janë shtyllat kryesore për zhvillimin e shtetit.

(Autori është absolvent i gazetarisë dhe ekonomisë)