Please enter at least 3 characters.

Progresi dhe të metat e arsimit parauniversitar

Procesi arsimor dhe edukativ në arsimin parauniversitar të Republikës së Kosovës, ende nuk është në nivelin e kënaqshëm edhe përkundër përpjekjeve të shumta drejt normalizimit. Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me shumë organizata qeveritare e jo qeveritare, vendore e ndërkombëtare, kanë mbajtur me mijëra trajnime për mësimdhënësit, që nga paslufta, dhe bashkë me këtë janë harxhuar shumë mjete financiare, mirëpo lëvizja progresive ka qenë shumë e vogël si në mësimdhënie nga arsimtarët, ashtu edhe në mësimxënie nga nxënësit. Krahasuar me kërkesat, shkollat kosovare, sot, edhe përkundër shumë trajnimeve të mësimdhënësve, shumë pak i kanë akceptuar reformat në mësimdhënie, ndërkaq që realizimi në klasë i tyre ka qenë ende më i ulët, jo se ata nuk kanë ditur, por stimulimi nuk ka ekzistuar fare.

Në anën tjetër, nuk mund të thuhet se ka munguar legjislacioni në letër i arsimit sepse deri më tash janë nxjerrë me qindra Udhëzime Administrative, të cilat përkojnë me sistemin arsimor tek ne. Po ashtu, reformimi i klasave, ndarja në cikle e shkollës (klasa 1 deri 5) dhe (klasa 6 deri 9), si dhe shpërndarja e teksteve mësimore falas, ka ndikuar pozitivisht, mirëpo mbetet shumë për t’u bërë, në radhë të parë për shkak të pozitës shumë të dobët financiare të mësimdhënësit kosovarë, mungesa e parave për përfshirjen e të gjitha orëve dhe mungesa praktike e gjithpërfshirjes nëpër shkolla.

Qeveria e Kosovës, bashkë me të edhe Ministria e Arsimit, nuk i janë qasur një reforme kryesore, e cila do të kishte efekt shumë më të madh sesa shumë trajnime të deritanishme pa kurrfarë shije, asaj të rritjes së pagave dhe përgjegjësisë në punë të mësimdhënësve. Përderisa pagat e mësimdhënësve vazhdojnë të mbeten në këtë nivel, apo nuk do të rriten në një vlerë kur mësimdhënësi nuk do ta ketë në mendje problemin e ekzistencës, nuk do të ketë sukses asnjë reformë, asnjë ligj dhe nuk do të ketë përgjegjësi në punë. Që nga viti 2002 e deri më tash, mësimdhënësit kosovarë kanë pasur një rritje page qesharake, mesatarisht prej 100 eurove. Këtu përfshihet edhe kategorizimi në bazë kualifikimi. Nëse marrim si mostër vitin 2002, një mësimdhënës atëherë kishte pagën 150 euro. Tetë vjet më pas, pra në vitin 2010, një mësimdhënës i kualifikuar me fakultet e me përvojë pune 15 – vjeçare, ka pagën mesatare prej 250 eurove neto.

Ministria e Arsimit ka nxjerrë deri tash shumë Udhëzime Administrative, nëpërmjet të cilëve parasheh procesin e licencimit të mësimdhënësve, por ky proces duket të jetë ende larg të bërit realitet. Deri më tash, të paktën 5 Udhëzime Administrative janë ndërruar e ç’ndërruar, por licencimi ende s’ka filluar. Mos kategorizimi i saktë dhe mungesa e mjeteve stimuluese për mësimdhënësit më punëtorë, janë një çështje tjetër shumë e rëndësishme. Deri më 01 shtator 2007, të gjithë mësimdhënësit, pa marrë parasysh kualifikimin, me shkollë të mesme, të lartë, apo fakultet, kanë pasur të njëjtën pagë dhe kjo dëshmon më së miri stimulimin e punës për formimin e gjeneratave të reja. Pas kësaj date dhe në fakt pas vitit 2002, nuk ka pasur kurrfarë rritje pagash, por është bërë vetëm kategorizimi në bazë kualifikimi i mësimdhënësve. Andaj, askush nuk mund të lavdërohet se ka pasur rritje pagash në arsim.

Sot, ka ardhur koha kur institucionet relevante duhet te ulen e të shohin gjendjen materiale të mësimdhënësve dhe bashkë me këtë edhe suksesin e nxënësve. Në këtë aspekt, drejtpërdrejt me rritjen e pagave lidhet edhe integrimi i mësimdhënësve serbë në sistemin e Kosovës. Jemi dëshmitarë se mësimdhënësit serbë dhe të disa komuniteteve tjera pakicë, ende nuk janë kyçur në sistemin e Kosovës dhe atë për shkak të pagave të majme të Beogradit dhe shumë të vogla të atyre të Kosovës. Korniza e Kurrikulumit të ri të Kosovës, që është duke u diskutuar nëpër shumë qytete të Kosovës, vështruar në letër, është një dokument shumë i përsosur, mirëpo me këto paga që kanë mësimdhënësit nuk mund të realizohet në nivelin e kënaqshëm. Ministria ne Arsimit mund të nxjerrë sa të dojë letra, por ato nuk do të zbatohen si duhet, pa u rritur pagat e mësimdhënësve.

Shumë shkolla fillore në Kosovë, për shkak të numrit të vogël të nxënësve nuk mund të funksionojnë si duhet, pikërisht në mungesë të mjeteve financiare. Nëpër vise të ndryshme malore të komunave të Kosovës, ka shumë shkolla që ka pak nxënës, ndërkaq që orët që duhet mbajtur se janë të njëjta. Në këtë aspekt, formulat e MAShT-it për ndarje buxhetore në kokë të nxënësit nuk ndryshojnë. Në anën tjetër, Kurrikulumi i ri në diskutim, çështje kyçe ka “nxënësin në qendër” dhe “gjithëpërfshirjen”. Këtu shihet edhe një kontradiktë e ligjeve përballë shpërndarjes së mjeteve financiare. Sa për ilustrim, nëse merren si mostra disa shtete evropiane, si Austria, Gjermani, Finlanda, Norvegjia, etj., nëse në një fshat malor ekziston një nxënës i vetëm, shteti do organizon mësim vetëm për atë nxënës, vetëm e vetëm që të mos braktisen zonat e thella malore. Tek ne në Kosovë, në radhë të parë shihen mjetet financiare dhe vështruar në këtë aspekt, nuk kanë pse të lindin fëmijët nëpër vise malore, sepse mbesin pa shkollë – shteti nuk ka para për t’ia paguar mësuesit atij nxënësi.

(Autori është gazetar në “Zëri” dhe koordinator i OJQ-së “Sharri” në Shtërpcë)