“Profa” po shkatërron gjithçka që po i del përpara me Malishevën, testi i radhës është Prishtina
Që nga ardhja e Bylbyl Sokolit në krye të Malishevës, skuadra ka marrë hov të madh dhe po shfaqet si një nga ekipet më në formë në Superligë, sidomos në garën për një vend që dërgon në Evropë.
Me “Profën” në stol, Malisheva ka regjistruar tri fitore radhazi, fitore të mëdha që e kanë ndryshuar komplet dinamikën e renditjes.
Falë kësaj serie pozitive, Malisheva ka bërë kapërcim të rëndësishëm, nga pozita e pestë është ngjitur në vendin e tretë, duke krijuar edhe një shkëputje të dukshme ndaj ndjekësve të drejtpërdrejtë, si Prishtina dhe Gjilani.
Kjo e bën edhe më interesant testin e radhës, pasi përballja me Prishtinën pritet të jetë vendimtare për ambiciet evropiane.
Seria e fitoreve nisi me një triumf spektakolar ndaj pretendentit për titull, Ballkanit, me rezultat 4-2, në një ndeshje me shumë kthesa.
Më pas, në fundjavën që lamë pas, Malisheva fitoi si mysafire ndaj Dukagjinit me rezultat 1-0, në një duel të fortë ku ekipi arriti ta menaxhojë ndeshjen edhe në momente kur kishte mbetur me një lojtar më pak.
Ndërkohë, sot Malisheva ishte e jashtëzakonshme edhe ndaj Gjilanit, duke krijuar avantazh të madh dhe duke shkuar deri në 3-0 brenda një ore lojë, ndërsa në fund pranoi një gol, për ta mbyllur ndeshjen me fitore 3-1.
Një nga pikat kryesore të kësaj ringritjeje është edhe forma e sulmuesit Xhemajl Ibishi, i cili në dy ndeshjet e fundit ka shënuar tre gola – një ndaj Dukagjinit dhe dy sot ndaj Gjilanit, duke u rikthyer në nivelin e tij më të mirë.
Përveç Ibishit, Malisheva po përfiton edhe nga paraqitjet e mira të mesfushorit Etnik Brruti, i cili po jep vazhdimisht kontribut dhe po e rrit balancën e ekipit në fazën ofensive, duke e bërë skuadrën më të rrezikshme dhe më të qëndrueshme në lojë.
Me këtë formë dhe me vetëbesim në rritje, Malisheva tani e pret Prishtinën në ndeshjen e radhës, një duel që pritet të tregojë nëse seria e fitoreve do të vazhdojë dhe sa larg mund të shkojë ky ekip në luftën për Evropë. /Telegrafi/


