Please enter at least 3 characters.

Problemet në shesh-xhirimin e "Euphoria": Chloe Cherry shpjegon pse disa nuk duan të punojnë me Sam Levinson

Seriali hit i HBO-së “Euphoria” prej kohësh është shoqëruar me thashetheme për tensione dhe vështirësi gjatë xhirimeve, ndërsa së fundmi aktorja Chloe Cherry (e cila luan rolin e Faye Valentine) ka folur hapur për arsyet pse, sipas saj, disa aktorë nuk e kanë të lehtë të punojnë me krijuesin dhe regjisorin Sam Levinson.

Cherry thotë se problemi nuk është domosdoshmërisht personal, por lidhet me mënyrën se si Levinson drejton dhe sa i saktë është në çdo detaj.

“Mendoj se kjo ndodh sepse ai ka një vizion shumë të qartë se si duhet të duket çdo gjë”, është shprehur ajo, duke shtuar se disa njerëz “nuk e pëlqejnë sa i përpiktë është” Levinson në mënyrën si e imagjinon çdo element të serialit.

Ndërsa për Cherry-n kjo qasje funksionon, ajo pranon se për të tjerët mund të jetë e lodhshme.

“Mua, përkundrazi, më pëlqen mënyra si Sam Levinson drejton,” tha ajo. “Më pëlqen që ai papritur mund ta ndryshojë mendjen në set dhe të thotë: ‘Jo, prit, ta bëjmë kështu. Kjo do ishte çmenduri. Në fakt, kam një ide të re!’ Më pëlqen kjo. E dua sigurinë e tij për gjithçka që personazhet veshin dhe thonë, por për disa, besoj, është thjesht shumë.”

Artikulli kujton gjithashtu se “Euphoria” ka pasur edhe polemika të tjera, përfshirë diskutimet rreth sasisë së nuditetit në serial, që thuhet se ka shkaktuar parehati për disa aktorë, si dhe raportime për marrëdhënie të ftohura mes Levinson dhe yllit kryesor Zendaya, megjithëse këto mbeten në nivel spekulimesh mediatike.

Nga ana tjetër, në vitin 2023, aktori Colman Domingo e kishte mbrojtur publikisht Levinson, duke thënë se situata po ekzagjerohej dhe se ai është “një nga regjisorët, shkrimtarët dhe producentët më të sjellshëm dhe më të hapur” me të cilët mund të punosh.

“Euphoria” mbetet një nga fenomenet më të mëdha televizive të viteve të fundit, por duket se prapa suksesit, procesi i xhirimeve vazhdon të jetë shpesh në qendër të diskutimeve. /Telegrafi/