Pritet dënimi për 17 shqiptarët e Luginës së Preshevës
Grupi, që sipas autoriteteve serbe bën pjesë në një grup të ashtuquajtur “Grupi i Gjilanit”, ka vrarë pjesëtarë të komunitetit serb gjatë vitit 1999 në Kosovë, pas përfundimin e luftës.
Derisa pritej vetëm leximi i dokumentacionit teknik përfundimtar, dje në Gjykatën e Qarkut në Beograd, është paraqitur një dëshmitare serbe, e cila ka thënë se i kishte humbur një i afërm i saj në vitin 1999 në qytetin e Gjilanit.
Kryetari i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare (LKSH) në Preshevë, Orhan Rexhepi deklaroi për agjencinë e lajmeve INA se gjyqësia serbe vazhdon të eskivojë me këtë rast dhe po mban në paraburgim të pafajshmit.
“Edhe pse ishte paralajmëruar vetëm leximi i dokumenteve teknike përfundimtare, papritmas në këtë gjykatë u paraqit një ‘dëshmitare’ së cilës kinse i paska humbur një afërm i saj gjatë vitit 1999 në qytetin e Gjilanit. ‘Dëshmia’ e saj ishte tejet banale, duke mos thënë asgjë konkrete, saqë panevojshëm mori shumë kohë. Më e keqja është se për nesër u paralajmërua një ‘dëshmitar’ tjetër dhe vazhdimi i leximit të ekspertizave ligjore.Detyrohemi të besojmë se më në fund do të mbarojnë eskivimet e trupit gjykues”.
Sipas Rexhepit, familjarët presin me ankth përfundimin e këtij gjykimi, që po realizohet pa asnjë bazë apo dëshmi valide.
Qeveria e Serbisë këtë aktakuzë ndaj të lartpërmendurve, të quajtur si “Grupi i Gjilanit” e ka ngritur më 25 qershor të vitit 2009. Nëntë nga 17 të akuzuarit ndodhen në burgun qendror të Beogradit janë: Agush Memishi, Faton Hajdari, Ahmet Hasani, Nazife Hasani, Samet Hajdari, Ferat Hajdari, Kamber Sahiti, Selimon Sadiku dhe Burim Fazliu. /Telegrafi/


