Prishtina barazon në miqësoren e parë ndaj rumunëve të Hermannstadt, Leotrim Kryeziu emërohet kapiten i ri
FC Prishtina ka zhvilluar ndeshjen e saj të parë miqësore në kuadër të përgatitjeve parasezonale në Turqi, përballë ekipit rumun FC Hermannstadt. Ndeshja përfundoi me rezultat 2-2, në një duel të balancuar ku u shfaqën qartë elementet e rinisë dhe përkushtimit të skuadrës.
Rumunët kaluan të parët në epërsi me anë të Chitu në minutën e 18-të, por bardhekaltrit arritën të rikthehen në lojë.
Alban Shillova fitoi një penallti pas një aksioni të shpejtë, ndërsa Leotrim Kryeziu e konvertoi me saktësi në gol për të barazuar në minutën e 38-të.
Në pjesën e dytë, Hermannstadt shënoi sërish përmes Bus, por Prishtina nuk u dorëzua.
Goli i barazimit erdhi nga Valmir Veliu në minutën e 80-të, pas një aksioni individual të bukur ku dribloi edhe portierin, me asistim nga Gentrit Salihu.
Trajneri Arsim Thaqi shfrytëzoi këtë miqësore për të aktivizuar të gjithë lojtarët në dispozicion, duke i dhënë hapësirë edhe futbollistëve të rinj për të treguar veten.
Ndërkohë, pas largimit të Drilon Islamit drejt CFR Cluj, FC Prishtina ka emëruar Leotrim Kryeziun si kapitenin e ri të skuadrës.
26-vjeçari, i cili është pjesë e klubit prej pesë vitesh dhe ka realizuar 42 gola në fanellën bardhekaltër – shifër që e rendit të tretin në historinë e klubit – tashmë merr edhe përgjegjësinë e udhëheqjes së skuadrës në fushë.
Kryeziu pritet të jetë figura kyçe në projektin e ri të klubit për sezonin 2024/25. /Telegrafi/


